Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili ka marrë vendimin për lejet e veçanta të qarkullimit për deputetët e Kuvendit të Kosovës për seancën e mbajtur të martën.
Përmes një komunikate për media, KDI thotë se mandati i deputetëve i të zgjedhur nga qytetarët është i pacenueshëm dhe një vendim i tillë mund të paraqesë precedent të rrezikshëm në përpjekjet për kufizimin e të drejtave të deputetëve.
“KDI ua rikujton të gjithë bartësve të funksioneve publike se mandati dhe detyrat kushtetuese të deputetëve, si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët, janë të pacenueshme dhe se vendimi i tillë mund të paraqes precedent të rrezikshëm në përpjekjet për kufizimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kuvendi i Kosovës vendosë për zhvillimin e punimeve të tij, institucionet relevante (përfshirë edhe Ministrinë e Punës së Brendshme) duhet të zbatojnë detyrat e tyre dhe brenda mundësive të krijojnë kushtet për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit”, thuhet në reagimin e KDI-së.
KDI i ka bërë thirrje Kuvendit që të vazhdojë me ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve dhe mbikëqyrjes së punës së Qeverisë.
“Instituti i bën thirrje Kuvendit dhe trupave të tij punues që të vazhdojnë me ushtrimin e dy funksioneve tjera kushtetuese: atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit. Mbikëqyrja e ekzekutivit, bëhet edhe më e rëndësishme në periudha krizash, siç është rasti me pandeminë aktuale, kur merren vendime pa konsultime paraprake me publikun dhe kur shpenzohen mjete të shumta buxhetore me procedura emergjente”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
https://www.facebook.com/kosovademocraticinstitute/posts/10159196708104179?__xts__%5B0%5D=68.ARCdue49mOFbjGlW65MptmJ9CkRUHhB4QA-TQGCykpcHWXlFalas6-GMu1veGkTnA4onG0smaDw0CrEpalIRMAJeRG8IenmIaJZS60qgzLMFuo-MP2fSP8BKTVXyhZ8z27cHzzQCdlslzr8TcIE_rhlUqpkUFO2e_t8DyuzLeb9OpwUXn0XIu2uL29Xl3k2nYpVXRGWKH_rsQf-c7SOEV6haAF4xXLAjbMVY4NfTMjGGOY42SH4IMx-I01B46hEu_IUd_OaFkA6mk8BhrPz0w0tFoSxUNjfdeKGyj1Rs4jxmLxV59Emln_gDMlvFCJCUNUijS9UmgTGQpDeM&__tn__=-R