×
  • Lajme
  • Lajme

    KDI shprehet e shqetësuar për mosfunksionimin e platformës e-Prokurimi: I kërkon qeverisë të marrë masa

    Reporteri
    07 Mars 2025 | 18:27

    Instituti Demokratik i Kosovës, ka kërkuar nga qeveria e vendit që t’i kushtojë vëmendje infrastrukturës kritike digjitale, duke garantuar kësisoj qëndrueshmërinë si dhe funksionalitetin e sistemit të prokurimit.

    Nga KDI është deklaruar edhe se mosfunksionimi i kësaj platforme përkthehet në vonesa të në prokurim si dhe pasiguri për operatorët ekonomikë.

    Po ashtu, në komunikatë i bëhet thirrje qeverisë që ndër tjerash të rrisë vëmendjen dhe trajtimin e veçantë për infrastrukturën digjitale kritike në nivel vendi, duke siguruar që sistemet thelbësore si e-Prokurimi të kenë qëndrueshmëri dhe siguri afatgjatë.

    ‘‘Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International në Kosovë, shpreh shqetësim për mosfunksionimin e platformës e-Prokurimi tashmë për të tretën ditë radhazi’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Komunikata:

    𝐐𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐬 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭’𝐢 𝐤𝐮𝐬𝐡𝐭𝐨𝐣𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐦𝐞𝐧𝐝𝐣𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐢𝐧𝐟𝐫𝐚𝐬𝐭𝐫𝐮𝐤𝐭𝐮𝐫𝐞̈𝐬 𝐤𝐫𝐢𝐭𝐢𝐤𝐞 𝐝𝐢𝐱𝐡𝐢𝐭𝐚𝐥𝐞, 𝐝𝐮𝐤𝐞 𝐠𝐚𝐫𝐚𝐧𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐪𝐞̈𝐧𝐝𝐫𝐮𝐞𝐬𝐡𝐦𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐬𝐢𝐬𝐭𝐞𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐞-𝐏𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International në Kosovë, shpreh shqetësim për mosfunksionimin e platformës e-Prokurimi tashmë për të tretën ditë radhazi.

    Platforma e-Prokurimit është një mekanizëm kyç për menaxhimin e prokurimit publik, duke përpunuar mbi 10,000 procedura në vit dhe administruar rreth 30% të buxhetit shtetëror. Çdo ditë mosfunksionimi i kësaj platforme përkthehet në vonesa të konsiderueshme në prokurim, pasiguri për operatorët ekonomikë dhe kufizim të qasjes në të dhëna për publikun dhe institucionet mbikëqyrëse.

    Ky problem thekson nevojën që sistemet dixhitale kritike të trajtohen me prioritet të lartë në nivel shtetëror, për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e duhur teknike. Përkundër mbështetjes financiare për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e platformës, sfidë e vazhdueshme mbetet mungesa e burimeve njerëzore të specializuara në fushën e teknologjisë së informacionit (TI) brenda KRPP-së. Pagat jokompetitive dhe vështirësitë në rekrutimin dhe mbajtjen e ekspertëve të TI-së kanë ndikuar që kapacitetet teknike të institucionit të mbeten të kufizuara, duke rrezikuar mirëmbajtjen dhe zhvillimin afatgjatë të sistemit.

    Në këtë drejtim, KDI i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që:

    • Të rrisë vëmendjen dhe trajtimin e veçantë për infrastrukturën dixhitale kritike në nivel vendi, duke siguruar që sistemet thelbësore si e-Prokurimi të kenë qëndrueshmëri dhe siguri afatgjatë.

    • Të ndërmarrë masa për të fuqizuar kapacitetet profesionale të TI-së brenda institucioneve kyçe, përfshirë përmirësimin e kushteve dhe politikave të rekrutimit për ekspertë të fushës, duke siguruar një staf të qëndrueshëm dhe të kualifikuar për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemeve dixhitale.

    • Të zhvillojë një strategji të integruar për sigurinë dhe përmirësimin e infrastrukturës dixhitale publike, për të parandaluar ndërprerje të ngjashme dhe për të garantuar funksionimin e pandërprerë të shërbimeve kyçe për shtetin dhe qytetarët.

    Garantimi i stabilitetit dhe funksionalitetit të infrastrukturës dixhitale nuk është vetëm një çështje teknike, por një domosdoshmëri për integritetin dhe efikasitetin e administrimit të fondeve publike. Pa një angazhim të shtuar për këtë sektor, rrezikohet jo vetëm transparenca dhe konkurrenca e ndershme në prokurimin publik, por edhe besimi i qytetarëve dhe bizneseve në institucionet shtetërore.

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë dhe të kërkojë llogaridhënie dhe veprime konkrete nga institucionet për të garantuar një infrastrukturë dixhitale funksionale dhe të qëndrueshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!