Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njoftoi se sot është aprovuar agjenda e reformave të Kosovës nga Komisioni Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se me Planin e Rritjes, Kosova është një hap më afër Bashkimit Evropian, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Një agjendë e targetuar drejt avancimit përmbajtësor dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Me aprovimin e agjendës së reformave, hapet rruga drejt mundësimit të pagesave të para, prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro”, thuhet në postimin e Bislimit.
Komisioni Evropian miratoi të mërkurën e 23 tetorit Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Agjendat u përgatitën nga qeveritë në Ballkanin Perëndimor, duke përshkruar reformat kryesore që do të bëhen në vitet e ardhshme”, thekson njoftimi zyrtar i institucionit evropian.
Përveç Kosovës, nga Plani i Rritjes, do të përfitojnë edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
/Reporteri.net/.
Komisioni Evropian miraton Agjendat e Reformës për pesë vende të Ballkanit Perëndimor