×
  • Lajme
  • Lajme / Furnizimi me rrymë

    KEK thotë se s’do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike: S’merremi me deklarata, nesër s’do të importohet energjia 100%

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 19:45

    Drejtues të Korporatës Energjetike e Kosovës(KEK) kanë premtuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pas raportimeve për mungesë të theksuar të prodhimit vendor.

    “Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, këtë ta kemi të qartë”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, në një konferencë për media.

    “Ne sot kemi deklaruar kapacitetet e prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur pasiguri nga ekipi i termocentralit ‘Kosova A’ për ta deklaruar atë kapacitet. Kjo është keqkuptuar dhe janë dhënë deklarata të ndryshme, me të cilat ne nuk merremi, që KEK-u për herë të parë pas 25 vjetësh nuk prodhon asnjë megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi angazhuar maksimalisht dhe kemi bërë korrigjim të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër”, ka shtuar ai.

    “Ne vetëm e prodhojmë energjinë elektrike, e deklarojmë një ditë përpara. Është korrigjuar njoftimi se nesër prodhojmë 110 megawat në orë nga njësia A3”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, KEK është në proces të modernizimit dhe shtimit të kapaciteteve.

    “Kjo është e natyrshme dhe qëndron te vjetërsia që kemi. ‘Kosova A’ ka 60 vite, ‘Kosova B’ i ka 40 vite, kjo e fundit është në proces të modernizimit. Ndërkaq për ‘Kosova A’ e kemi njësinë ‘A3’, për të cilin e kemi hapur tenderin me 137 milionë euro modernizim dhe rehabilitim”, ka thënë ai.

    KESCO sot paralajmëroi se nga nesër e në ditët në vijim pritet të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë, duke u kërkuar qytetarëve të kursejnë në shfrytëzimin e energjisë elektrike. Lajmin e ka mohuar KEK, duke thënë se operimi po vazhdon normalisht dhe se nuk ka kolaps në prodhim. Ata kanë theksuar se janë duke punuar në sanimin e defekteve të shfaqura në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Sipas KEK-ut, këto janë “të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paparashikueshme”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!