KEK-u nuk e do në punë “laborantin e kimisë” që ka mbikualifikim

Burim Sadriu ia ka parë sherrin diplomës dhe shkollimit akademik. Sadriu kishte konkurruar për pozitën ‘laborant i kimisë’ në Korporatën Energjetike të Kosovës, 6 muaj më parë.


Ndër 15 konkurrentët, i vetmi Sadriu ishte me fakultet në këtë lëmi.

Por, ai nuk është pranuar në këtë pozitë, me arsyen se është i mbikualifikuar, raporton ktv.

Ai ka thënë se nga kjo korporatë nuk ka marrë asnjë shpjegim tjetër.

Sadriu shton se është në dilema tash, se a do ta përfundojë Masterin.

Përderisa në shpjegimin që ka dhënë drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, Skënder Bucolli, thuhet se do të ishte shkelje e shpalljes publike, nëse do të ishte pranuar ky konkurrent, pasi që për pozitën ‘laborant të kimisë’ në bazë të përshkrimit të vendit të punës, është kërkuar përgatitje me shkollim të mesëm.

Bucolli ka shtuar se, bazuar në shpalljen publike, komisioni ka selektuar kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret me përgatitje të mesme shkollore dhe drejtimin e kërkuar në shpallje publike, në bazë të përshkrimit të vendit të punës.