Sot, në ambientet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), është mbajtur një takim konstruktiv me përfaqësues të bizneseve nga: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Aleanca e Biznesit, Klubi i Biznesit, dhe Shoqata e Prodhueseve brenda OEK.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e bizneseve janë njoftuar lidhur me hapat konkretë të ndërmarrë nga KEK në kuadër të zbatimit të legjislacionit dhe rregulloreve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përfshirë rregulloren për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF) dhe procesin e kalimit të konsumatorëve në tregun e hapur.
“KEK ka njoftuar se, nga data 01.06.2025, ka filluar furnizimin e të gjitha bizneseve në tregun e hapur si FMF, në përputhje me rregulloren përkatëse të ZRRE-së. Me këtë rast, KEK ka kërkuar bashkëpunim nga përfaqësuesit e bizneseve, me qëllim të realizimit të suksesshëm të këtij procesi të rëndësishëm për sektorin energjetik. Njëkohësisht, është theksuar se si ndërmarrje publike prodhuese, KEK është duke vepruar në zbatim të plotë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi të ZRRE-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, KEK ka informuar se ka filluar edhe me nënshkrimin e kontratave komerciale me ndërmarrje publike dhe biznese të interesuara për furnizim të rregullt dhe afatgjatë në tregun e hapur të energjisë.
“Është theksuar gjithashtu se, sipas rregullores së ZRRE-së, afati ligjor për ofrimin e shërbimit si FMF përfundon më 30 korrik 2025, dhe gjatë kësaj periudhe KEK është duke punuar në rritjen e kapaciteteve të saj operacionale, për t’iu përgjigjur me efikasitet kërkesave të tregut dhe bizneseve që synojnë furnizim komercial nga KEK.
Me kërkesë të OEK-ut, KEK ka shprehur gatishmërinë për të qenë në dispozicion të ofrojë sqarime të vazhdueshme, si për përfaqësuesit institucionalë të bizneseve, ashtu edhe për bizneset individuale, në mënyrë që procesi të zhvillohet në transparencë dhe bashkëpunim të plotë”, thuhet në njoftim.