×
  • Lajme
  • Lajme / Afera e Kryetarit

    Këmbimi i pronës komunale me private për ish-klientët e tij, reagon Përparim Rama

    Reporteri
    19 Janar 2024 | 15:01

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një reagim pas lajmeve që qarkulluan sot në media se komuna e Prishtinës ka marrë vendim për këmbimin e një prone komunale me dy pronarë privat në zonën Prishtina e Re.

    Ai ka thënë se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit dhe ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Rama ka thënë se nuk qëndrojnë raportimet se prona 8 hektarëshe e pronarëve privat do të këmbëhet me pronën rreth 20 hektarëshe të Komunës së Prishtinës, por vetëm me një pjesë të saj.

    “Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media. Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion”, ka shkruar Rama.

    Ai ka thënë se Komuna do ta bëjë ekzekutimin e vendit, bazuar në vlerësimin final që do ta marrë nga Ministria e Financave.

    “Komuna e Prishtinës ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave”, ka shkruar Rama.

    Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët mohojnë se kanë përkrahur vendimin për këmbimin e pronave.

    LVV Qendra në Prishtinë, ka publikuar një video të seancës ku ishte diskutuar për këtë çështje, dhe ku asamblistja Nora Kelmendi kundërshton këmbimin.

    “Atë ditë i kemi potencuar të gjitha dyshimet tona për shkelje në këtë rast. Nuk e kemi përkrahur dhe kemi thënë së është material për prokurori. Krejt kjo tendencë për ta fajësuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! bëhet për ta larguar vëmendjen nga skandali i sotëm me kulmin e ndërtesës së komunës”, thuhet në reagim.

    Mediumi “Koha” raporti sot se me propozim të kryetarit Përparim Rama e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka hapur rrugë këmbimit të pronës komunale me atë private të dy biznesmenëve me të cilët në të kaluarën Rama ka pasur raporte kontraktuale.

    Para tre vjetësh Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!