×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca e jashtëzakonshme

    Keqpërdorimet në KEK, opozita prezanton rezolutën për hetimin e rolit të Dejona Mihalit në këtë ndërmarrje

    Reporteri
    24 Tetor 2024 | 12:59

    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita, e ku pritet të diskutohet ‘skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës’.

    As në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet.

    Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës foli i pari  tha se po mundohen t’i sqarojnë zhvillimet brenda KEK-ut dhe të flasin për përgjegjësinë e menazhimit me këtë korporatë.

    “Kjo seancë është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të gjerë parlamentar lidhur me situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj ndërmarrjeje jetike për vendin”, tha Gashi.

    Ai ka prezantuar rezolutën, përmes së cilës kërkohet edhe hetim i plotë për rolin e Dejona Mihalit në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje.

    Përmes këtij dokumenti, Kuvendi kërkon që të hetohen të gjitha skandalet në KEK.

    “ Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente, që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushte të favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.”, thuhet në dy pikat e para të rezolutës.

    Më pas, projektrezoluta kërkon që të hetohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, duke përfshirë rolin e Dejona Mihalit.

    “ Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK. 4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme”, thuhet në tekstin e projektrezolutës.

    Tri pikat e fundit të rezolutës kanë të bëjnë me Qeverinë e Kosovës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje.

    “Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale.

    6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qëllim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes. 7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje”, është thënë në rezolutë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!