×
  • Lajme
  • Lajme

    “Alarm i rremë”, kërcënimi me bombë, Policia s’gjen gjë te Rektorati i UP’së

    Reporteri
    17 Maj 2022 | 19:22

    Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar sot një kërcënim me bombë. Ky kërcënim u është dërguar atyre përmes një e-maili anonim. Policia sapo ka njoftuar se pas kryerjes së kontrollit të vendit të ngjarjes, nuk kanë hasur në ndonjë mjet shpërthyes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Forca të shtuara policore dhe autoambulanca janë parë sot para hyrjes së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Në adresë të këtij institucioni, ka shkuar sot një kërcënim për bombë.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes një emaili.

    “Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, tha Borovci për Reporteri.net.

    Ai tha se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

    Për rastin u deklarua eddhe Rektori i UP’së, Naser Sahiti.

    “Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Sahiti.

    Por, Policia ka njoftuar para pak minutash se e ka kontrolluar vendin e ngjarjes dhe se s’ka hasur në ndonjë mjet shpërthyes.

    “Njësitet relevante policore, pas kryerjes së kontrollit të vendit të ngjarjes, nuk kanë hasur në ndonjë mjet shpërthyes. Të gjitha veprimet dhe hetimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!