Presidenca ka konfirmuar se Presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar me jetë, më 15 prill.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar se ndaj Presidentes Osmani ka kërcënime të vazhdueshme, duke shtuar se asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë, shkruan Reporteri.net.
“Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi. Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka deklaruar Kupina.
Ai ka thënë se kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitet, jo vetëm që nuk ndalen por edhe inkurajohen.
“Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka deklaruar Kupina.
E-maili është dërguar më 15 maj, ditën kur Osmani nisi konsultimet me liderët e partive në kërkim të një zgjidhje për dalje nga ngërçi i krijuar.
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin e dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës.
Reporteri.net ka kontaktuar edhe Policinë mbi këtë kërcënim, mirëpo deri tash s’ka marrë përgjigje./Reporteri.net