×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Kërcënimi me jetë ndaj Presidentes Osmani, Policia inicion rast penal

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 16:58

    Policia e Kosovës ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimin me jetë që është bërë ndaj Presidentes Vjosa Osmani, përmes e-mailit zyrtar të Presidencës, shkruan Reporteri.net.

    Mesazhi kërcënues është dërguar më 15 maj, ditën kur Osmani nisi konsultimet me liderët e partive për të gjetur rrugëdalje nga ngërçi institicional.

    “Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Reporteri.net.

    Nga Prokuroria ende s’janë deklaruar lidhur me rastin.

    “Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin e dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës.

    Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar mbrëmë se ndaj Presidentes Osmani ka kërcënime të vazhdueshme, duke shtuar se asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.

    “Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi. Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka deklaruar Kupina.

    Ai ka thënë se kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitet, jo vetëm që nuk ndalen por edhe inkurajohen.

    “Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka deklaruar Kupina./Reporteri.net

    Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Presidenca: Institucionet s’po veprojnë, asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!