Presidenca e Kosovës ka bërë me dije se Prokuroria Speciale ende nuk ka caktuar asnjë prokuror që të merret me kërcënimin ndaj Presidentes Vjosa Osmani. Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, është bërë para një jave, përmes një mesazhi të dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se sot janë informuar nga Policia se nuk është ngarkuar ende asnjë prokuror për t’u marrë me këto kërcënime.
“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani”, ka thënë Kupina.
Ai ka theksuar se kërcënime ndaj Presidentes ka në vazhdimësi, por se ende nuk ka asnjë të arrestuar, pavarësisht se thotë shumë prej kërcënimeve janë bërë me emër e mbiemër.
“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.
Mesazhi kërcënues është dërguar më 15 maj, ditën kur Osmani nisi konsultimet me liderët e partive për të gjetur rrugëdalje nga ngërçi institicional.
“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimin me jetë që është bërë ndaj Presidentes Osmani.
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin e dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës.
Reporteri.net ka dërguar pyetje lidhur me këtë rast, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka kthyer përgjigje./Reporteri.net
Kërcënimi me jetë ndaj Presidentes Osmani, Policia inicion rast penal