×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërcënohet zyrtari i VV-së në Mitrovicë, pasi tha se Agim Bahtiri e ka shndërruar Komunën në harem

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 12:38

    Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në degën në Mitrovicë, Fatmir Hasani, po pretendon se dje është ballafaquar me një kërcënim nga persona që sipas tij janë të afërt me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.


    Këtë e ka bërë të ditur vetë Hasani për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, duke thënë se të martën pas intervistës në T7, disa persona i janë afruar mikut të tij, Nexhmedin Spahiu, dhe e kanë pyetur se ku banon Hasani.

    “Dje unë masi që kom qenë në intervistë në T7, këtë Nexhmedin Spahiun unë e kom shok edhe masi që kom qenë në intervistë, Nexhmedini më tha se më janë afru do njerëz që nuk i njeh kështu, por i njeh që janë të afërt me Agim Bahtirin. Nexhmedini më tha më kanë pytë ku e ka banesën Fatmir Hasani, e ky iu ka thonë unë se di ku e ka banesën, kanë thonë qysh se din, ti e ki shok, iu ka thonë se di.”, tha Hasani për Reporterin.

    Zyrtari i VV-së bëri të ditur se rastin e ka lajmëruar në Polici, por që thekson se këtë denoncim nuk e bëri nga frika.

    “Unë rastin e kom lajmëru në Polici edhe iu thashë Policisë që s’po iu informoj pse po tutna a diçka, vec po iu kallxoj se dikush që ta kërkon vendbanimin e nuk të njeh, nuk është diçka normale. Ata janë bash njerëzit e Agim Bahtirit. Unë hala nuk kom shku në Polici, qetash edhe pak kom me shku me dhanë veç nji deklaratë.”, deklaroi ai për Reporterin.

    Hasani po ashtu bëri të ditur se këto ‘të fala’ i erdhën pas deklaratës së tij në T7 ku tha se Bahtiri e ka bërë harem Komunën duke punësuar femra, të cilat, sipas tij, kur nuk i do më i largon nga puna.

    Për këto fjalë ai ka thënë që nuk frikësohet, pasi që pretendon se janë të gjitha të vërteta.

    “Unë m’u tutë s’tutna se kurrgjë nuk kom thonë diçka që s’është, veç çka është e vërteta dhe çka po thonë qytetarët se e ka ba Komunën harem.”, përfundoi Hasani.

    Ndryshe, gjatë ditës së martë, Hasani ka hedhur akuza për keqmenaxhim në drejtim të kryetarit aktual të Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili po ashtu është pjesë e LVV-së nga viti 2019.

    Sipas Hasanit, Bahtiri e ka tradhtu Behgjet Pacollin dhe do ta tradhtojë edhe Albin Kurtin.

    Tutje, i njëjti tregoi arsyet pse e mbështet kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli.

    “Kam vendosur ta mbështes kandidatin e LDK-së për kryetar të Mitrovicës, jam detyru në një mënyrë për ta përkrah dr.Armend Agollin, pasi që 8 vitet e fundite  ka keqmenaxhu Bahtrii Mitrovicën dhe nuk është frymë e VV-së, por u bë anëtar i saj në vitin 2019 kur e pa që e kemi momentumin dhe përkrahjen, ai e ka tradhtu Behgjet Pacollin dhe ashtu e tradhton edhe kryeministrin tonë. Jam detyru me mbështet Armend Agollin dhe mi bë thirrje qytetarëve me votu listën e asamblistave të VV-së, sepse kam me qenë nënkryetar dhe do të udhëheqim Mitrovicën me dinjitet. Nënkryetar do të jem nëse fiton dr.Agolli, kjo është marrëveshja që e kemi arritë me të”, tha ai tutje.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!