Të shtunën (03.05.2025), një person i panjohur ka kërcënuar redaksinë e Gazetës Insajderi lidhur me publikimin e një video para tetë viteve për kamikazin, Blerim Heta, raporton mediumi. Heta në vitin 2014 kishte çuar veten në ajër në Irak, duke vrarë edhe mbi 50 irakianë.
Personi i cili erdhi në zyrat e Insajderit, nuk ka pranuar të prezantohet por ka pretenduar se Blerim Heta, i cili ishte shpallur si “shehid” në atë kohë, është gjallë. Ai më pas, sipas mediumit, ka kërcënuar që të fshihet videoja për terroristin Heta.
“Blerim Heta është gjallë, fshini atë video nëse jo, nuk ju bjen mirë“, tha ai gjatë bisedës.
I njëjti teksa po dilte la edhe një porosi: “Keni selam prej Blerim Hetës”.
Redaksia e mediumit ka njoftuar se ka lajmëruar rastin në polici. Personi është identifikuar nga policia si Art Ismajli, familjar i terroristit Blerim Heta.
I njëjti është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht nga prokurori kujdestar i ditës së hënë.
Por, kush është Blerim Heta?
Blerimi ishte 24 vjeç, kur ai u largua nga Kosova më 7 gusht të vitit 2013, pa i thënë asnjë fjalë familjes së tij. Dy ditë më vonë Arieta mori një mesazh nga i vëllai, i cili i thoshte asaj se ishte në Turqi.
Në fillim kjo iu duk normale motrës së Blerimit, i cili shkonte shpesh në Turqi për të dëgjuar fjalimet e imamëve, pasi ishte kthyer në një mysliman të devotshëm dhe praktikant.
Më 24 mars 2014, familja Heta nga Varoshi i Ferizajt mori një telefonatë nga djali i tyre, Blerim Heta, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri. “Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që ai ua kumtoi atyre.
Të nesërmen, më 25 mars, kosovari Blerim Heta kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë. Forumet e xhihadit në internet e shpallën menjëherë shehid (dëshmor).
Rrugët e kryeqytetit irakien kishin mbetur me 52 civilë të vrarë jeta e të cilëve u këput në mes nga sulmi i terroristit nga Kosova.
Ndikimin tek veprimet e Blerimit, në aktakuzë thuhet se nëna e tij ia ka atribuuar imamit të akuzuar Shefqet Krasniqi dhe bashkëpunëtorit të tij të dënuar Musa Ademi.
“Atje është xheneti… siç thotë Shefqet Krasniqi, ajo botë është çfarë është, se në këtë botë nuk kemi asgjë”, ka kujtuar në dëshminë e saj t’i ketë thënë i biri Minire Hetes, pak kohë para shkuarjes në ISIS.
“Gjatë kësaj kohë (2013) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shefqet Krasniqin dhe ka dëgjuar vazhdimisht ligjëratat e tij, madje shpesh herë gjatë tërë natës”, kishte thënë nëna e kamikazit kosovar.
Ajo autoriteteve u kishte treguar se Blerimi në muajt e fundit para shkuarjes në ISIS kishte filluar të mos u fliste për dore femrave, pasi një gjë të tillë ia kishte thënë imami Krasniqi. Kishte shkuar deri aty sa edhe kontaktin fizik me vajzën e axhës apo tezes e kishte ndërprerë.
“Nusen mua ma gjen Shefqet Krasniqi dhe a po don ta thrras tani”, ka kujtuar ajo në dëshminë e saj, t’i ketë thënë Blerimi derisa ajo e kishte kritikuar se me sjellje të tilla do të mbetej pa u martuar.