Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, John Kelley, në mbledhjen e së martës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kërkoi largimin e misionit UNMIK nga Kosova.
Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net kanë thënë se kjo është një kërkesë e kahershme e Osmanit.
“Kjo ka qenë edhe kërkesë e kahershme e presidentes Osmani, e përsëritur në adresimet që i ka bërë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë për Reporteri.net, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Nuk ka pasur ndonjë dispozitë të ligjeve ndërkombëtare, dhe i themi Serbisë që t’i respektojë ligjet ndërkombëtare. Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe me prosperitet të lartë dhe UNMIK-u jo vetëm që e ka zgjatur mandatin por është në kontraditë me GJND-në. E ftoj OBK-në që të shfrytëzoj buxhetin më mirë. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, është kampione e sigurisë në botë. Njerëzit e Kosovës janë ndërkombëtarë në zemrat e tyre”, kishte thënë Osmani në vitin 2021 në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sa i përket misionit të UNMIK-ut, përfaqësuesi i ShBA-së tha dje se ka ardhur koha që ky mission ta përfundojë mandatin. Ai ka shtuar më tej se SHBA-ja kërkon që të zbusë shpenzimet e panevojshme, derisa ka përmendur se 89% e buxhetit të UNMIK-ut shkon për paga të punëtorëve.
“Koha për të mbyllur UNMIK-un ka ardhur. Rekomandojmë që UNMIK-u të fillojë të transferojë funksionet e veta tek agjencitë tjera të OKB-së…ashtu që procesi drejt përfundimit të misionit të jetë gradual e jo i paparashikuar”, deklaroi ai.
Ndërsa, Ministrja Gërvalla tha se UNMIK nuk e përmbush më asnjë funksion që do të justifikonte praninë e tij.
Gërvalla drejtoi akuza ndaj këtij misioni për shtrembërim të fakteve.
“UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që do të justifikonte praninë e tij. Përderisa organizatat e tjera ndërkombëtare – si OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian – ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë, UNMIK vazhdon të shtrembërojë faktet dhe në këtë mënyrë e mashtron këtë Këshill”, tha ajo.
/Reporteri.net/