Pakënaqësitë me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit janë rritur. Por, në publik për këto pakënaqësi foli Avdulah Hoti tek sot.
Por, këto pakënaqësi siç merr vesh gazeta online Reporteri.net janë shfaqur në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie të hënën e 10 marsit.
Reporteri.net merr vesh kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka marrë shumë kritika për orientim të votës, e kryesisht të votës se mërgimtarëve.
Sipas një burimi të gazetës brenda kryesisë së LDK-së, në mbledhjen që zgjati me orë të tëra shumë prej anëtarëve të Kryesisë së LDK-së ishin shumë kritik.
Po sipas këtij burimi, në mbrojtje të Abdixhikut atë ditë I zëshëm ishte vetëm kryetari i Pejës, Gazmend Muahxhiri.
Por në publik për këto pakënaqësi foli Avdullah Hoti. Ai për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka thënë se nuk është i kënaqshëm, dhe as i përafërt me atë që kanë shpresuar si parti përgjatë këtyre katër viteve përgatitjeje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka numëruar edhe disa faktorë si, “opozitarizmi që kemi bërë në katër vitet e fundit, riorganizimi i shumë degëve të LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021, zgjedhjet e brendshme të LDK-së të vitit 2023 dhe programi, ekipi dhe qasja që kemi ofruar gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore dhe disa muajve para fushatës”, siç thotë ai s’jaftuan për të bindur qytetarët.
Në një postim të gjatë në Facebook, Hoti i LDK-së thotë se një shqetësim kanë qenë edhe votat e diasporës, që sipas tij ka pasur joproporcionalitet në votat, krahasuar ato me postë të diasporës me votimin në Kosovë.
Akuzave të Hotit, kryetari i LDK-së, u është përgjigjur “pa fjalë”. Abdixhiku këtyre zërave i është përgjigjur me një foto të tij të shoqëruar me simbolin me dy gishtat lart.
Në një vije me Hotin është edhe ish-deputeti i LDK’së, Agim Veliu. Veliu përmes një shkrimi në Facebook thotë se lideri i partisë po e dërgon në ‘theqafje një familje të madhe politike’.
Ai madje i kritikoi edhe ata që po e mbrojnë liderin e partisë, Lumir Abdixhiku. Veliu tha se janë për keqardhje ta mbrosh dikë që një parti politike po e çon drejt degradimit.
“Të jesh i pafuqishëm të ndryshosh gjendjen në shtëpinë politike, ku kryefamiljari (kryetari) të ka afruar formalisht “afër” vetës nuk është edhe shumë tragjike.
Është për keqardhje të detyrojnë, apo të vetëdetyrohesh për t’ia mbajtur ison shefit dhe të dalësh publikisht e ta mbrosh “liderin” që po e dërgon në theqafje një familje të madhe politike, që për 35 vite ishte shembull i demokracisë dhe meritokracisë”, tha ai.
Në mbrojtje të Abdixhikut pas deklaratës së Hotit ka dalë nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka dalë kundër deklaratës së Avdullah Hotit për shkarkimin e Kryetarit Lumir Abdixhiku, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Muhaxherit Abdixhiku s’mund të shkarkohet pasi e ka rritur LDK-në për 70 për qind.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai për Rtv21.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit i cili tha se lidershipi duhet ndryshuar pas rezultatit nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Haziri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë së saj, ndonëse në mbledhjen e Kryesisë sipas burimeve të Reporteri.net ai ka qenë shumë kritik.
Ai ka shkruar se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka ardhur nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik, e që sipas tij ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Kurse nënkryetari tjetër i LDK-së, Imri Ahmeti, i ka quajtur qesharake deklaratat e Avdullah Hotit, i cili ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se është kërkesë për PR dhe jo reale dhe se lidershipin e LDK-së e kanë të zgjedhur për një kohë të gjatë.
“Është kërkesë më tepër për PR politik, se sa kërkesë reale, në fakt edhe qesharake. Janë strukturat e partisë, është Kuvendi, Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe kur të dojë ai dhe kur të dojë shumica e këtij Këshilli, këtij Kuvendi, mund të organizohet një kuvend i tillë. Mendoj që lidershipin e LDK-së e kemi të zgjedhur për një kohë të gjatë dhe nuk e kemi asnjë lloj kontesti. Individët janë individë”, tha Ahmeti.
Por, a i kishte shprehur pakënaqësitë Hoti në LDK, para se t’i bënte publikisht?
Nënkryetari Imri Ahmeti thotë se i ka adresuar disa shqetësime, por jo të nivelit të tillë që i ka bërë sot.
“Në fakt ai ka mundur që këto pakënaqësi t’i adresojë në organet e partisë e jo në media, i ka adresuar disa shqetësime por jo të nivelit të tillë çfarë i ka bërë sot”, theksoi ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me deklaratën për keqpërdorime me vota të diasporës, Ahmeti tha se është absurde kërkesa e Hotit.
“E paimagjinueshme ideja e tillë e profës, për gjithë respektin që kam ndaj tij, për mua është absurde kjo kërkesë, shumë qesharake çfarë ka kërkuar”, deklaroi Imri Ahmeti./Reporteri.net/