×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    KESCO: Vetëm njësia A3 është duke prodhuar energji, qytetarët të ndihmojnë në kursimin e energjisë

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 10:34

    Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar sot se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se njësia A3 është duke prodhuar rreth 110 megavatë sot, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës do të mbulohet përmes importit të energjisë.

    “Në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve si pasojë e temperaturave të larta. Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, KESCO ka siguruar importet e nevojshme nga tregjet ndërkombëtare dhe po vazhdon të punojë intensivisht për të përmbushur nevojat në rritje për energji”, thuhet në njoftimin e KESCO.

    Tutje, KESCO ka bërë thirrje që të gjithë konsumatorët të ndihmojnë në kursimin e energjisë, veçanërisht përmes përdorimit më efikas të pajisjeve për ftohje.

    “Çdo kilovat-orë i kursyer ndihmon në lehtësimin e ngarkesës në sistem dhe ul koston e përgjithshme të energjisë — duke përfituar të gjithë nga kjo”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!