×
  • Lajme
  • Lajme / Lista

    Këshilli Prokurorial publikon listën e kandidatëve për prokurorë të rinj të shtetit

    Reporteri
    17 Qershor 2024 | 15:37

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për prokurorë të rinj, e cila konfirmon raportimin e gazetës online Reporteri.net se në këtë listë ishte edhe emri i Dardan Makollit që ka lidhje me anëtaren e Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Jehona Makolli-Grantolli.

    Rezultatet e testit me shkrim ishin publikuar të premten, ndërkaq emri i Makollit renditej i 26-i në listë me 38.4 pikë.

    Në kuadër të konkursit për rekrutimin e 24 prokurorëve të rinj të shtetit, më 9 qershor ishte mbajtur testi me shkrim në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Burimet e Gazetës Online Reporteri.net kishin bërë me dije se në këtë proces mund të ketë konflikt interesi, për shkak se kandidati Makolli e ka vajzë të xhaxhait prokuroren, Jehona Makolli Grantolli, e cila është caktuar si anëtare e Komisionit më 15 janar të këtij viti. Rrjedhimisht, nga lidhja e tyre familjare, ka dyshime se prokurorja Makolli Grantolli mund të ketë pasur ndikim në përzgjedhje.

    Ndërkaq, të hënën është raportuar se në mesin e kandidatëve që e kanë kaluar testin është Nita Lumezi, vajza e Aleksandër Lumezit – ish-kryeprokuror dhe Vilson Maloku, djali i ish-kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku.

    Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë për Gazetën Reporteri se nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve pas përfundimit të testit me shkrim. Të njëjtit kanë pretenduar se nuk ka pasur konflikt interesi gjatë procesit, i cili është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së.

    “Ju njoftojmë se në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas përfundimit të Testit me Shkrim, më datën 9 qershor 2024, nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve për prokurorë të shtetit dhe nëse ka të tilla do t’i shqyrtojë Komisioni për Rishqyrtim. Gjithashtu, ju njoftojmë se nuk ka pasur as konflikt interesi gjatë këtij procesi dhe se tërë procesi është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhet në përgjigjen e KPK-së për Gazetën Reporteri.

    Emërimin e prokurores Makolli Grantolli në cilësinë e anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit e ka vendosur KPK-ja.

    Gazeta Online Reporteri.net lidhur më këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje për të dhënë sqarime apo konfirmuar nëse ka konflikt interesi në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj të shtetit.

    Ndryshe, sipas njoftimit zyrtar nga KPK-ja, në testin me shkrim kanë marrë pjesë 281 kandidatë, prej tyre 150 burra dhe 131 gra, nga të cilët dy janë pjesëtarë nga radhët e minoriteteve.

    Ky test është zhvilluar në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka hartuar pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!