Faton Abdullahu, këshilltari i Isa Mustafës, kur ky drejtonte qeverinë e vendit, duke i bërë analizë kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK, e ka cilësuar atë një mashtrim optik, përmes së cilës LDK po mundohet të i fitojë disa vota plus, por që ajo nuk përkon me qasjen e kësaj partie. Madje ai Osmanin e ka quajtur një mini-Vetëvendosje brenda LDK’së.
Abdullahu në Klan Kosova, ku të pranishëm ishin edhe Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku, i ka pyetur ata, nëse LDK po e ndjekë qasjen e kryetarit të partisë Isa Mustafa, apo atë të Vjosa Osmanit, pasi ato janë krejtësisht të kundërta, shkruan reporteri.net.
“Duke e përcjellur karrierën politike të Vjosa Osmanit, e sidomos në këto dy tri vitet e fundit, e shoh që ajo ka fituar shumë simpati, shumë vota, pra simpati që më pas u konvertua në vota, me një qëndrim të saj, ekskluzivisht, kundër koncepteve dhe qëndrimeve të LDK’së”.
“Ajo ishte shumë e zëshme dhe shumë kundër Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, zotit Mustafa, nënkryetarve, juve zoti Luta, për atë se ju e bëtë president zotin Thaçi, e më vonë e entuziazmuar me këtë qasje ajo vazhdoi për të kundërshtuar edhe demarkacionin deri në atë shkallë, sa unë kam qenë aty edhe e di si ka qenë ky problem”.
Tutje, Abdullahu, ka thënë se sikur të fitonte qasje e zonjës Osmani brenda partisë, LDK do të bëhej anti-amerikane.
“Do të thosha ka qenë gati tragjike, e dhimbshme. Sikur të fitonte ajo rrymë e qasjes së zonjës Osmani në atë kohë, LDK do të bëhej anti-amerikane. Kjo me këtë qasje, që më duket një mini-Vetëvendosje në LDK, fitoi shumë simpati, shumë vota, dhe iu afrua strukturave të partisë, dhe iu tha, unë i kam gjithë këto vota, dhe kështu mendoj e kështu po më dojnë qytetarët, votuesit. Këta u detyruan ta pranojnë me gjithë atë qasje kundërshtuese. Tani kur flasim për unitet, për qasje, pragmatizëm, cila ishte më e mirë, ajo qasja e zotit Mustafa për ta bërë president Thaçin, për ta kaluar Demarkacionin, që ishte diçka shumë e zorshme, por parimisht shumë e drejtë, apo qasja e zonjës Osmani”.
“Zoti Mustafa bëri mirë që e krijoi një balanc, por ky balanc që u kriju në LDK, a është premisë, mbi të cilën ngriten parimet për të qëndruar unik, apo është balanc, që votat dhe simpatizantët e Vjosa Osmanit, i kanë marrë brenda strukturave, brenda LDK’së, dhe i përdorin si insulinë politike për të vazhduar pa ndryshime, por me një mashtrim optik sikur Vjosa Osmani”, ka thënë Abdullahu. /reporteri.net