×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Kurtit e krahason Grenellin me ambasadorin amerikan të kohës së luftës, i cili UÇK’në e quajti terroriste

    Reporteri
    06 Mars 2020 | 13:28

    Presioni amerikan, e sidomos ai i Richard Grenellit, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për Kosovën, ka bërë që njerëzit më të afërt të kryeministrit Albin Kurti, atë ta krahasojnë me një ambasador amerikan të fundviteve 90’, i cili e kishte cilësuar UÇK’në organizatë terroriste.


    Ishte viti 1998, kohë kur UÇK kishte dalë publikisht për të marrë përsipër aksionet e armatosura kundër forcave serbe. Në atë kohë, ish’presidenti Bill Clinton kishte emëruar si të dërguar të posaçëm për Ballkanin, Robert Gelbardin, dhe ky gjatë një vizite në Beograd, UÇK’në e kishte cilësuar si organizatë terroriste. Pas kësaj, qëndrimi amerikan për UÇK’në kishte ndryshuar, dhe ajo ishte shndërruar në partnere.

    Duke u nisur nga ky detaj i shkurtër i raporteve SHBA-UÇK, edhe sot ata që kundërshtojnë kërkesat e aleatit më të fuqishëm të Kosovës, mundohen që ta relativizojnë situatën duke e selektuar vetëm tek një individ, dhe jo si raport me shtetin amerikan, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Njejtë po mundohet të veproj edhe kryeministri Kurti, përmes njerëzve më të afërt të tij.

    Këshilltari i tij, filozofi nga Shqipëria, Elvis Hoxha, në një ragim të gjatë në Facebook, ndër të tjera thotë se nuk duhet harruar se një ambasador dikur e kishte quajtur UÇK’në organizatë terroriste.

    “Ata e kanë zhytur në amnezinë e tyre faktin se ishte ambasador ai që e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës terroriste, ndërsa një emisar ai që erdhi e bisedoi me ta”, ka shkruar Hoxha.

    Ai me këtë mundohet të thotë, se kjo çfarë po ndodhë momentalisht në raportet SHBA-kryeministri Kurti, nuk është e tillë, por është vetëm një raport Grenell-kryeministri Kurti, dhe ky i dërguar i Trumpit do të shkojë njejtë siç kishte shkuar Gelbardi, dhe kur kishin ardhur ambasadorë të tjerë, UÇK nga një organizatë e cilësuar si terroriste ishte kthyer në partner të Amerikës, dhe në fund e kishte fituar luftën ndaj Serbisë. Pra, njerëzit e Kurtit, presin se Grenell do të shkojë, dhe të tjerët që do të vijnë pas tij, Kurtin do ta kenë partner në betejën finale ndaj Serbisë. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!