Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës në rrjetin e tij në Facebook ka shkruar se po të ishte sot President i SHBA-së edhe Bill Clinton, qëndrimi i Qeverisë Kurti do të ishte ekzaktë i njëjtë me qëndrimin e sotshëm.
“Pajtohem me shumë njerëz që Kurti nuk e ka asnjë problemin me ambasadorin Grenell dhe as me Presidentin Trump.
Ai thjesht nuk e duron Amerikën! Lista e amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar është e gjatë sa këtu e në Shkup!”, ka shkruar ai, duke postuar fotografi të amerikaneve që Kurti i ka kundërshtuar në dy dekadat e fundit.
Ky është postimi i plotë i Behramit:
VV-ja, dy dekada traditë antiamerikane
Po të ishte sot President i SHBA-së edhe Bill Clinton, qëndrimi i Qeverisë Kurti do të ishte ekzaktë i njëjtë me qëndrimin e sotshëm. Pajtohem me shumë njerëz që Kurti nuk e ka asnjë problemin me ambasadorin Grenell dhe as me Presidentin Trump. Ai thjesht nuk e duron Amerikën! Lista e amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar është e gjatë sa këtu e në Shkup!
Në viti 1999, kur u mbajt konferenca e Parisit dhe Rambujesë, Kurti i doli kundër Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, sekretares Madeleine Albright, ambasadorëve Richard Holbrooke dhe Christopher Hill!
Gjatë viteve 2006, 2007 dhe 2008, Kurti përmes protestave të dhunshme i shpalli tradhtarë të gjithë anëtarët e delegacionit, pjesëmarrës në negociatat për statusin e Kosovës. Ai doli hapur kundër presidentit George Bush, sekretares Condoleezza Rice dhe ambasadorit Frank Wiesner, i cili ishte i dërguari i Amerikës në negociata. “Po e negociojnë autonominë nën Serbi”, kishte thënë Kurti më 2007. Por, më 17 shkurt ndodhi e kundërta. Kosova u shpall e pavarur.
Në vitin 2013, ai ishte kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke dalë kështu edhe kundër presidentit Barack Obama dhe sekretares Hillary Clinton.
Por, nga viti 2014 deri në vitin 2016, filloi edhe konfrontimi direkt i Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai doli kundër presidentit Obama, kundër mikut të madh të Kosovës, Joe Biden, zëvendëspresident, kundër John Kerryt, sekretar i shtetit.
Kurti ishte në konflikt me 10 ambasadorë amerikanë, të cilët në periudha të ndryshme përfaqësonin Amerikën në Kosovë. Madje, ambasadores Tracey Jacobson i kishin shkaktuar edhe lëndime fizike.
Por, përmasat e rrezikut nga këto qëndrime ishin të vogla, meqë Vetëvendosje bashkë me filozofët, myhibët dhe cyberxhematin e tyre, ishin në opozitë dhe nuk kishin fuqinë e vendimmarrjes.
Sot kur kanë institucionet në duart e tyre po mundohen të legjitimojnë dhe legalizojnë antiamerikanizmit!