Beteja në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi, po e lë vendin pa unitet në dialogun ne Serbinë. Kryeministri Kurti madje i ka shkruar letër presidentit Trump se të drejtën për ta udhëhequr dialogun me Serbinë e ka Qeveria dhe jo Presidenti.
Por, është kështë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj i cili përmes një replike në distancë me nënkryetaren e Kuvendit nga VV, Arbërie Nagavci, ka thënë se është presidenti i Kosovës ai të cilit ja garanton Kushtetuta që ta përfaqësojë politikën e jashtme të shtetit, e rrjedhimisht edhe dialogun me Serbinë.
Behramaj ka thënë se në bazë të Kushtetutës, në çdo delegacion ku është i pranishëm Presidenti, atë delegacion e kryeson vetëm ai dhe askush tjetër, shkruan Reporteri.net.
“Nënkryetare, kjo ndër të tjera i bie që në çfarëdo delegacioni, në çfarëdo ekipi negociues, pjesë e të cilit është presidenti, udhëheqës aty është veç ai!”, ka thënë Behramaj.
Më poshtë lexoni të plotë spjegimin e Behramajt, se pse Presidenti e ka ekskluzivitetin e udhëheqjes së dialogut:
Në hall jemi me interpretimet kushtetuese të këtyre të Vetëvendosjes. Tash edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, i paska përmendur disa nene, por e paska harruar kryesoren, pikën 10 të nenit 84 të Kushtetutës, e cila thotë shumë qartë që presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit.
Aty e ka pas, afër atyre që i ka cituar, por po e lëmë që nuk e ka parë!
Nënkryetare e dinë besoj që në kuadër të Qeverisë është edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Eh ministria ka rol zbatues. Edhe nivelin më të lartë diplomatik, ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm, besoj dje ke pasur mundësi ta mësosh nga kujdesi i treguar i ministrit të MPJ-së me emërtimin si “propozime”, që si udhëheqës i politikës së jashtme vetëm presidenti i emëron dhe shkarkon.
Edhe mos të harroj nënkryetare se edhe kjo është shumë e rëndësishme: nëse helbete ndonjë ministër i kësaj qeverie arrin ta finalizojë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, autorizimin për nënshkrim do i duhet ta marrë nga presidenti, jo nga kryeministri.
Ndërsa, në pikën 7 të nenit 84 të Kushtetutës, po ashtu, shumë qartë thuhet që presidenti nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në pajtim Kushtetutën.
A po kuptohemi deri këtu? Pra, Qeveria e zbaton politikën e jashtme, por nuk e udhëheq atë.
Edhe e fundit, se e paskeni përmendur edhe ju që Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë, por sigurisht pa qenë shumë e vetëdijshme për këtë.
Nënkryetare, kjo ndër të tjera i bie që në çfarëdo delegacioni, në çfarëdo ekipi negociues, pjesë e të cilit është presidenti, udhëheqës aty është veç ai!/Reporteri/