Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Blerim Latifi ka folur rreth akuzave të fundit që i janë bërë atij për përfshirje në grupin e dyshuar për fajde.
Sipas Latifit që kur Veseli nisi iniciativën për krijimin e Tribunalit që do të gjykonte krimet serbe në Kosovë, ai po merr goditje të njëpasnjëshme, shkruan Reporteri.net.
Latifi ka listruar tri goditje që sipas tij i mori Veseli që prej kur nisi iniciativën për Tribunalin; së pari lajmi i rremë për Hagë, pastaj fotoja e rreme dhe në fund videoja e rreme.
Postimi i plotë:
Në fillim doli lajmi i rremë: ka shkuar në Hagë! Pastaj fotoja e rreme: për t’ia diskredituar idenë e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë! Pastaj videoja e rreme: për t’ia nxirë emrin para qytetarëve. Tepër inteligjente, për të qenë e rastësishme. Tri goditje, për një qëllim: ta ndalin, ta bëjnë të heqë dorë nga diçka prej të cilës asnjë komb nuk mund të heqë dorë, dënimit të atyre që urdhëruan e zbatuan gjenocidin kundër tij. Tri goditje dhe tri heshtje që kanë emrat Polici, Prokurori dhe AKI. Dhe një shtet që nuk funksionon!