×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime

    Këshilltarja e Kurtit kritikon Escobarin e Lajçakun: Nuk i takuan përfaqësuesit e Luginës, sikur ata serbë të veriut

    Reporteri
    17 Mars 2024 | 17:12

    Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nga Lugina e Preshevës, ka adresuar kritika ndaj të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak për mungesën e “takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

    “Shpreh keqardhje që z.Gabriel Escobar dhe z.Miroslav Lajčak, nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, duke i marrë parasysh zhvillmet. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Sinani në Facebook, përcjell Reporteri.net.

    Postimi i saj:

    Shpreh keqardhje që z.Gabriel Escobar dhe z.Miroslav Lajčak, nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

    I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, duke i marrë parasysh zhvillmet. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
    Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.

    Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk u njihen diplomat për rreth 16 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.
    Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.

    Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.

    Prandaj, z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të takoni edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për të na dëgjuar. Së paku.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!