×
  • Lajme
  • Lajme

    Këta janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 18:06

    Nga Vetëvendosje, pjesa e aktivistëve por edhe përkrahëseve të ndryshëm kanë nisur të merren me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e ka nxitur një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta shpallë jo kushtetues vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve.


    Rrjedhimisht, aktivistët e VV-së po i shohin si të anshëm gjyqtarët.

    Por kush janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe cila është biografia e tyre.

    Arta Rama Hajrizi është kryetare, Bajram Ljatifi është zëvendëskryetar. Ndërkaq gjyqtarë janë: Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu Krasniqi, Gresa Caka Nimani, Safet Hoxha, Remzije Istrefi Peci, Radomir Llaban dhe Nexhmi Rexhepi. (Biografitë e tyre mund të lexoni KËTU).

    Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot shpalli të pavlefshëm vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë Coronavirus.

    “Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.2 (1) dhe 116 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 31 mars 2020, njëzëri
    VENDOS
    I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
    II. TË SHPALLË që Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;
    III.TË KONSTATOJË që neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore;
    IV. TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
    V. TË SHPALLË të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin e cekur në pikën II të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
    VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
    VII. Ky aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020; dhe
    VIII. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit”, përfundon aktgjykimi i Gjykatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!