×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    KFOR-i deklarohet për eksplozivin që u gjet brenda një veture sot në Leposaviq

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 23:13
    Foto nga arkivi. Disa ushtarë të KFOR-it në Kosovë. Foto: REL

    Një mjet i pashpërthyer është gjetur sot nën një veturë në Leposaviq. Për këtë rast, KFOR ka dhënë detaje me anë të një njoftimi dërguar mediave, duke rikonfimuar largimin e mjetit të pashpërthyer nga vendi i ngjarjes.

    “Një pajisje e dyshimtë është gjetur sot nga Policia e Kosovës e vendosur nën një veturë, në Leposaviq. Pas një kërkese të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ka intervenuar me shpejtësi një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Personeli i Policisë së Kosovës e largoi në mënyrë të sigurt mjetin e pashpërthyer nga vendi, në koordinim të ngushtë me një ekip të KFOR-it të SHBA-së për EOD”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Rastin e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se me të marrë informacionin, në vend të ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të policisë.

    Gjendet eksploziv në një veturë në Leposaviq, ndërhyn policia dhe KFOR-i

    “Sot rreth orës 11.00, policia ka pranuar informacion se nën një veturë në qytetin e Leposaviqit gjendet një mjet i dyshimtë i pashpërthyer. Policia ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigjur njësitet relevante policore, duke përfshirë edhe Njësinë K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFOR-i amerikan”, ka thënë Elshani.

    Ai ka thënë se mjeti i pashpërthyer është tërhequr nga vendi në mënyrë të sigurt, ndërsa policia rreth orës 16:20 është larguar nga vendi i ngjarjes.

    “Në konsultim me prokurorin, rasti është cilësuar si ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe po hetohet nga policia, ka thënë Elshani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!