Policia e Kosovës pasditën e djeshme ka gjetur pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës.
Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese të KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka ekzaminuar këto pesë zolla të cilat u dërguan në laboratorët e mjeskësisë ligjore.
“Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i Komandës Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO ekzaminoi pesë zolla të zbuluara në një depo në komunën e Banjskës nga Policia e Kosovës dhe i dërgoi ato në laboratorët e mjekësisë ligjore. Bashkë me ekipin kemi punuar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas njoftimit, Batalioni i Manovrimit të KFOR-it po siguron më tej zonën për të parë nëse mund të gjendjen depo tjera të mundshme pranë këtij objekti.
“Batalioni i Manovrimit i KFOR-it po siguron më tej zonën për të parë nëse mund të gjenden depo të tjera të mundshme pranë këtij objekti. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës dje bëri të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se janë gjetur pesë zolla ditën e sotme në afërsi të Manastirit të Banjskës.
“Janë gjetur pesë zolla, ka mundesi që janë nga sulmi i fundit i 24 shtatorit”, tha zëdhënësi Veton Elshani për Reporteri.net.
Ndryshe, me 24 shtator 2023, Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit ishte sulmuar në fshatin Bajnskë me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.
Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, dje disa të tjerë të përfshirë në sulm u arrestuan, disa nga të cilët më pas u liruan, derisa tre prej tyre, Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasojeviqit u është vazhduar paraburgimi dy javë më parë, edhe për dy muaj./Reporteri.net/