×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    KFOR-i jep detaje pas takimeve të djeshme që Barduani pati me Sveçlën dhe Hoxhën

    Reporteri
    12 Nëntor 2024 | 7:58

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka takuar dje në Prishtinë drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe më pas ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    KFOR-i rreth këtyre takimeve u deklarua përmes një komunikate për media.

    Sipas kësaj komunikate, këto takime ishin pjesë e ndërveprimeve të rregullta të gjeneralmajor Barduani me homologët e tij përkatës në Kosovë dhe në mbarë rajonin.

    Barduani përsëriti përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së.

    Ai gjithashtu theksoi nevojën për koordinim të vazhdueshëm dhe konsultime të rregullta me organizatat e sigurisë në Kosovë, pasi kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth këtij takimi, Sveçla e ka uruar Barduanin për detyrën e re si Komandant i KFOR dhe e ka ritheksuar “përkushtimin e plotë të institucioneve tona për bashkëpunim të mëtejmë me KFOR”.

    “Siguria, paqja dhe stabiliteti i vendit tonë dhe jo vetëm mbeten kryesore andaj të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim e bashkëveprim të ngushtë me qëllim të realizimit të synimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

    Sveçla pret në takim Komandantin e KFOR’it: Siguria, paqja dhe stabiliteti i vendit tonë mbeten kryesore

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!