I dënuar me burg efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për vepra penale që lidhen me terrorizëm, Berat Qamili, po kërkon nga Gjykata e Apelit që atij t’i zbutet dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë.
Qamili akuzohet se përmes rrjeteve sociale kishte përkrahur organizatën terroriste “ISIS” dhe kishte bërë thirrje për t’u bashkuar në “luftën e shenjtë për xhihad”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë vepër, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 gusht 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Qamili dhe të njëjtin e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim efektiv.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Qamili ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama, pasi që në seancën fillestare të 27 gushtit ai kishte pranuar fajësinë për këtë vepër.
Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që i akuzuari Qamili e ka kaluar në arrest shtëpiak, prej 20 nëntorit 2017, e deri më 20 janar 2018.
I akuzuari ishte obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro.
I pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gazmend Ismajli është ankuar në Gjykatën e Apelit.
Kësaj të fundit, mbrojtja i ka propozuar që të ndryshojë aktgjykimin e Themelores dhe të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të butë e jo me burg efektiv.
Si alternativa të dënimit me burg efektiv, të shqiptuar nga shkalla e parë, mbrojtja i ka propozuar Apelit që ndaj Qamilit të shqiptojë një dënim me kusht, dënim me punë në dobi të përgjithshme, apo që dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë t’i zëvendësohet me dënim me gjobë.
Siç tha avokati Ismajli në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, një dënim më i butë për të mbrojturin e tij do të ishte më i përshtatshëm, duke pasur parasysh disa rrethana personale dhe familjare së të akuzuarit.
Ismajli tha se i mbrojturi i tij është përjashtuar nga familja e tij dhe është i padëshirueshëm për shkak të veprës penale për të cilën është dënuar.
Si rrethanë lehtësuese, avokati Ismajli e përmendi edhe faktin se i mbrojturi i tij është baba i një foshnje që si ka mbushur ende një vit.
Vet i akuzuari Qamili tha se është i gjendjes së rëndë ekonomike, ku tha se jeton me qira dhe merr ndihma sociale.
Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit e ka kundërshtuar ankesën e mbrojtjes, ashtu që, gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar që të refuzojë ankesën e mbrojtjes dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Berat Qamilit e kishte ngritur më 17 janar 2018, për shkak se gjatë vitit 2017, në vazhdimësi përmes rrjetit social “facebook”, me anë të postimeve të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive, kishte bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”.
Sipas aktakuzës, ai kishte përkrahur haptazi veprimet terroriste të organizatës “ISIS”, siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë duke bërë thirrje të gjithë myslimanëve që t’i bashkëngjiten “luftës së shenjtë për xhihad”.
Në aktakuzë thuhet se ai më 28 nëntor 2017, në llogarinë e tij të rrjetit social “facebook”, me emrin Berat Qamili-Qamili, kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “nisu drejt tyre pa mëshirë”.
Sipas aktakuzës, ai kishte shpërndarë fotografi të ushtarit të “ISIS”-it , si dhe postimin me përmbajtje “qofshin të poshtëruar kushdo që ngritë këto sorra mbi shtëpitë e tyre”, ku është shtiza me flamurin kombëtar, ndërsa me 20 dhjetor 2017, ai ishte arrestuar nga policia.
PSRK, Qamili po e ngarkon me veprën penale “bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake apo parapolicore, në organizimet grupore ose individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.