Nga Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së BE-së me sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) kanë dalë me deklaratë të përbashkët.
Deklarata e tyre përmban 16 pika. Liderët e BP6-s janë pajtuar për ta çuar më tej bashkëpunimin në rjon dhe për të punuar drejt politikës së zgjerimit të BE-së.
Ata kanë përshëndetur miratimin nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së për Reformë dhe Rritje, e cila sipas tyre do të stimulojë më tej rrugën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, duke ofruar ndihmë financiare shtesë për zbatimin e reformave themelore.
Po ashtu, palët janë pajtuar që ta synojnë lehtësimin e transformimit ekonomik, duke i hapur rrugën anëtarësimit të plotë në BE.
“Me perspektivën e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor 6, jemi të përkushtuar të përqafojmë mundësitë e paraqitura nga kjo nismë për rajonin; synimi ynë është të lehtësojmë transformimin ekonomik dhe social të shoqërive tona, duke i hapur rrugën anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke qëndruar të përkushtuar ndaj respektimit të parimit të aderimit të bazuar në merita gjatë gjithë këtij procesi”, thuhet në këtë deklaratë.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë shprehur të përkushtuar për përfundimin e përsëritjes së parë të Planit të Veprimit CRM që përfundon në vitin 2024 dhe bëjnë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara të arritura në kontekstin e tij.
“Angazhohemi të miratojmë Planin e ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028 në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2024. Kjo fazë e re e CRM-së vepron si një hap drejt Tregut të Vetëm të BE-së në shumë sektorë, duke zhbllokuar potencialin ekonomik të rajoni, duke krijuar mundësi për sektorin tonë privat dhe (SME-të) si dhe për punëtorët”, thuhet në pikën e pestë të deklaratës.
Në deklaratën e përbashkët është përmendur edhe përmirësimi në bashkëpunimin doganor ndërmjet BP-së dhe BE-së.
“Duke njohur nevojën për përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, BB6, Sekretariati i CEFTA-s dhe Komuniteti i Transportit do të finalizojnë dhe zbatojnë udhërrëfyesin e Korsive të Gjelbërta, duke përfshirë përmes rritjes së tregtisë ndërrajonale brenda Ballkanit Perëndimor, përmirësimin e bashkëpunimit doganor ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja dhe modernizimi i pikave të kalimit kufitar/të përbashkët (PKK)”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në deklaratë është përmendur edhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e një mekanizmi efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare, ne njohim rëndësinë e përfundimit të negociatave të Protokollit Shtesë 7 të CEFTA-s për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve me qëllim të prezantimit të marrëveshjes në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Për këtë qëllim CEFTA do të sigurojë trajtim të barabartë të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.
Vendet e BP-së kanë shprehur gatishmërinë për të intensifikuar përpjekjet për të ndjekur angazhimet e kaluara në kuadër të Procesit të Berlinit, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjeve për lëvizshmërinë.
“Individualisht, duhet të trajtojmë dhe eliminojmë me zell pengesat ndaj interesave të përbashkëta që dalin nga kjo agjendë, të cilën ne e pranojmë si përfundimisht të dobishme për qytetarët tanë, prosperitetin ekonomik dhe integrimin evropian të rajonit tonë. Për këtë qëllim, angazhohemi të sigurojmë institucione rajonale plotësisht funksionale për të çuar përpara Tregun tonë të Përbashkët Rajonal dhe për t’u përgatitur për integrimin tonë më të ngushtë në tregun e vetëm të BE-së”, thuhet tutje në deklaratë.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22.01.2024 në Shkup të Maqedonisë së Veriut.Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“.Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“.
Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.