×
  • Lajme
  • Lajme

    Kjo është kërkesa e plotë e Vetëvendosjes drejtuar Gjykatës Kushtetuese

    Reporteri
    01 Maj 2020 | 13:16

    Gjykata Kushtetuese dje pasdite ka pranuar një kërkesë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kërkohet të shpallet anti-kushtetues dekretimi i presidentit Hashim Thaçi që i ka bërë Avdullah Hotit për kryeministër të vendit. Gazeta Online Reporteri.net, e ka siguruar këtë dokument prej 54 faqesh të deponuar dje në orën 17:00 në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e VV’së, Rexhep Selimi dhe Arbërie Nagavci, e të nënshkruar edhe nga 28 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.


    Në këtë dokument të siguruar nga Reporteri.net, deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë kushtetueshmërinë e Dekretit të Presidentit Hashim Thaçi me të cilin i propozon Kuvendit, Avdullah Hotin si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.

    Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pretendohet se presidenti Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën duke mos pritur edhe më tej Lëvizjen Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 për të propozuar kandidatin për Kryeministër, por këtë të drejtë ia ka ofruar një partie tjetër, në këtë rast LDK.

    Aty thuhet se Presidenti sipas Kushtetutës nuk ka të drejtë t’i ofrojë propozimin për Kryeministër një partie tjetër, pasi Vetëvendosje në komunikimin me letra me Presidentin në asnjë rast nuk ka refuzuar që atij t’i dërgojë emrin e mandatarit për Kryeministër.

    Sipas kërkesës së deputetëve të VV’së drejtuar Kushtetueses, Presidenti ka vepruar në kundërshtim me Kushtetuesen menjëherë pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, kur ka ftuar partitë në konsultime për formimin e qeverisë tjetër.

    Gjithashtu, në kërkesë pretendohet se Presidenti ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën kur ka vendosur që të interpretojë se mospropozimi nga ana e VV’së kandidatin për Kryeministër, nënkupton refuzim nga ana e saj për të ofruar mandatarin për formimin e Qeverisë.

    Në anën tjerër LDK i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit që të thërras seancë të jashtëzakonshme për të shtunën në ora 13:00 ku do të votohej qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma, me kryeministër Avdullah Hotin.

    Por, duket se kjo seancë nuk do të thirret të paktën deri sot pas dite, kohë kur Gjykata Kushtetutes pritet të vendos rreth kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e masës së përkohshme, për të pezulluar zbatimin e dekretit të Presidentit.

    Gjykata Kushtetuese u ka ofruar palëve që të dërgojnë komentet e tyre deri në ora 12:00 të ditës së sotme, dhe më pas do të vendos nëse do të pezullojë votimin e qeverisë Hoti deri në nxjerrjen e vendimit rreth kushtetueshmërisë së dekretimit të Hotit për kryeministër të vendit.

    Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë Dekretin e presidentit Thaçi për Avdullah Hotin si kandidat për Kryeministër, atëherë Kuvendi do të detyrohet të presë edhe disa javë Gjykatën Kushtetuese derisa ajo të vlerësojë kërkesën e Vetëvendosjes nëse Dekreti i presidentit Thaçi ishte në përputhje me Kushtetutën apo jo.

    Vlen të theksohet se në këtë dokument është cituar edhe Kushtetuta e Serbisë, gjë që ka sjellur reagimin e juristëve, gazetarëve e opinionistëve./Reporteri.net

    Ky është dokumenti i plotë:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!