Një zyrtar i Telekomit të Kosovës ka mbetur i plagosur mbrëmë në orët e mesnatës, në një nga lokalet e Prishtinës.
Një ndejë që do të shënonte përmbylljen e vitit të Telekomit eskaloi në përleshje mes zyrtarëve të kësaj kompanie Arsim Ramadanit e Shaban Ramajt, ku ky i fundit përfundoi i plagosur, shkruan Reporteri.net.
Ramadani e Ramaj që të dy punojnë në departamentin e logjistikës në Telekomin e Kosovës. Për këtë punë ata marrin shuma goxha të majme parash. Konkretisht shuma që Shaban Ramaj merr në këtë kompani është 2,250.83 euro, po aq sa merr edhe kolegu i tij Arsim Ramadani.
Raportohet se të dy janë punësuar në Telekom gjatë valës së fundit të punësimeve.
Kujtojmë se për plagosjen në ndejën e Telekomit konfirmoi edhe policia e Kosovës, por duke u munduar të fshehë rastin nga publiku, duke e cilësuar atë si një”përleshje mes të rinjve në një nga lokalet e Prishtinës”.
Madje në raportin e policisë thuhet se viktima, në këtë rast Shaban Ramaj ka thënë se deri te shkrepja e plumbit ka ardhur në mënyrë aksidentale, pra se është vetëplagosur.
“Rruga ,,Enver Zymberi” Prishtinë, 19.12.2019 rreth orës 23:40 Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht vet-plagosur”, thuhet në raportin e policisë.
Aty konfirmohet se për këtë rast një i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që arma me të cilën ka ndodhur plagosja është konfiskuar në vendin e ngjarjes. Për rastin policia informon se janë intervistuar edhe një numër i dëshmitarëve.
“Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, përfundon raporti. /Reporteri.net