×
  • Lajme
  • Lajme / Energji

    “Kjo gjendje s’guxon të tolerohet”, “Vendim absurd”, opozita kundërshton propozimin për shtrenjtimin e rrymës për 15%

    Reporteri
    15 Mars 2025 | 15:21

    Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, kanë ardhur edhe ragimet nga partitë opozitare.

    Reagimet kanë ardhur nga deptuetët të PDK-së dhe LDK-së, të cilët thonë se një rritje e sërishme prej 15% e energjisë elektrike është e papërballueshme për qytetarët e bizneset, dhe e quajnë vendim absurd, shkruan Reporteri.net.

    Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se rritja e tarifës të energjisë për 15% është e papranueshme dhe e dëmshme për qytetarët dhe bizneset.

    Ajo tutje ka thënë se nëse ky propozim kalon, atëherë i bie për 4 vite, çmimi i rrymës është rritur për 130%.

    “Propozimi i ZRrE-së për rritje të tarifave të energjisë prej 15% është i papranueshëm dhe i dëmshëm për qytetarët dhe bizneset. Në rast se ky propozim kalon, rritja do të jetë 130%, edhe atë, vetëm katër vitet e fundit. Çmimet e larta, pagat e njëjta, ndërkohë përsëri rritje të çmimit të rrymës. Për besë, kjo gjendje nuk guxon të tolerohet”, ka shkruar Deliu.

    Për paralajmërimin e shtrenjtimit të rrymës ka reaguar edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë se Albin Kurti erdhi në pushtet me premtimin për lirimin e energjisë, por ndodhi ngritja më e madhe në histori në në qeverisjen e tij, shkruan Reporteri.net.

    “Kurti, Faturat e Energjisë dhe Bizneset ⚡📈
    Albin Kurti në vitin 2019 ka thënë:“Energjia duhet të lirohet, sepse është tepër e shtrenjtë kur flemë mbi gjithë këtë energji”.
    📌 Por çfarë ka ndodhur nën qeverisjen e tij?
    ✔️ Ngritja më e madhe e çmimit të energjisë në historinë e Kosovës!
    ✔️ Tani ZRRE propozon rritje tjetër prej 15% nga 1 Prilli 2025.
    💰 Çfarë do të thotë kjo për faturat tuaja?
    ➡️ Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja!
    Sepse me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur.
    ⚠️ Pse është kjo problem? Sepse kjo do të thotë rritje e shumfisht e çmimit të energjisë për këto biznese, duke marrë parasysh faktin se pas daljes në treg të hapur, këto biznese do të furnizohen me energji kryesisht nga importi, me tarifa shumë më të larta, pasiqë në bazë të kontratës së privatizimit të distribucionit, KEK-u e ka obligim të furnizojë fillimisht KEDS/KESCO, duke i lënë bizneset në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve të importit”, ka shkruar sot Bajrami.

    Ajo ka shtuar se vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd.

    “Pas gjithë kësaj vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE -ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%!
    Sot pyetja është: kujt po i shërbejnë këto politika? 💡 Është kristal e qartë se përfituesit këtu janë vetëm KEDS/KESCO dhe tregtarët e energjisë në krye me Martin Berishajn. Po qytetarët?👥 • Ata do të paguajnë 15% më shumë për fatura nga 1 prilli. • Ata do të mbulojnë çmimin më të lartë të energjisë për bizneset përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Pra, Qeveria/ZRRE rrit shpenzimet, bizneset rrisin çmimet dhe qytetarët paguajnë më shumë dhe jo vetëm për energji”, ka shkruar ajo.

    “Asnjecentmeshume” është slogani i fushatës kundër shtrenjtimi të rrymës.

    Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

    “Miq, po e nisim nje fushate #ascnjecentmeshume per te e kundershtuar propopzimin e ZRRE-se per shtrenjtimin e energjise elektrike. Arsyet jane te bollshme,secili prej nesh i dine. Shumica e qytetareve te Kosoves nuk mund te e perballojne rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.

    Kujtojmë se vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë. /Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!