Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një video adresuar qytetarëve për mosarritjen e marrëveshjes së koalicionit me LDK-në e ka fajësuar direkt kryetarin e kësaj të fundit, Isa Mustafa.
Në video Kurti thotë se atij i është bërë i pamundur një takim me kryetarin e LDK-së, gjatë këtyre ditëve, që i bie se Mustafa nuk ka pranuar të takohet me kreun e VV-së, pas zgjedhjes pa marrëveshje të kryetarit të Kuvendit, post i cili në negociata i ishte premtuar partisë së Mustafës.
“Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme nuk mu bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me presidentit”, ka deklaruar Kurti.
Lidhur me këtë është deklaruar edhe Haki Abazi, i propozuar nga Kurti për kryeministër.
Abazi ka pohuar se Mustafa i ka thënë se nuk mund të takohet pas konsultave me partinë.
“Nuk është se nuk ka pasur përgjigje, por se i është thënë se duhet të vendosin organet e partisë”, ka treguar Abazi.
Ai më tej ka pohuar se LDK ka qenë në njohuri se VV do t’i propozojë emrat për ministra.
“Nuk ka qenë as forma më e dëshiruar e VV-së, por e vetmja që ka mbetur në procesin e prolongimit të marrëveshjes finale”, ka pohuar ai. /Reporteri.net/.