×
  • Lajme
  • Lajme / Bllokada institucionale

    Koci i shkruan letër Kurtit: Ndryshoje kandidaten për Kryeparlamentare – për kapriçio personale po e mbani peng Kuvendin

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 10:41

    Avokati Arianit Koci i ka shkruar një letër Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti lidhur me insistimit për emrin e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare, duke e cilësuar si një “kapriçio personale” të tij, Gazeta Online shkruan Reporteri.net.

    Sipas Kocit, Kurti mund ta zhbllokojë Kuvendin, por kjo siç thotë ai është një bllokadë e qëllimshme, e që pasojat po bien mbi shtetin dhe qytetarët.

    “Nuk është më koha për inate personale, as për ngulm në kandidatura që nuk i kanë votat e duhura”, shkruan mes tjerash Koci.

    Letra e plotë:

    Z. Albin Kurti,

    Ngulmi me Albulena Haxhiun nuk është më bindje politike, as e drejtë e fituar në zgjedhje.

    Është kapriçio personale – që po e mban peng Kuvendin e Kosovës, po i ngrin proceset dhe po i djeg milionat e popullit.

    Paraliza është totale: përfaqësimi politik nuk funksionon, ekonomia është e ngujuar, shteti po mrizon.

    Ju keni mundësi me e zhblloku këtë situatë.
    Keni fuqi, keni ndikim.

    Sepse kjo tashmë nuk është më përballje me kundërshtarët politikë.

    Është bllokim i qëllimshëm institucional.
    Dhe pasojat po bien mbi shtetin. Mbi qytetarin.
    E populli po sheh. Po kupton. Po mban mend.

    Në anën tjetër, me fitoren në zgjedhjet e fundit dhe me pozicionin që e keni sot, ju takon juve me e marrë rolin përbashkues.

    Nuk është më koha për inate personale, as për ngulm në kandidatura që nuk i kanë votat e duhura.

    Sepse mbi të gjitha – me opozitën nuk jeni në armiqësi.
    Janë kundërshtarë politikë, por janë deputetë të këtij vendi – me të njëjtin legjitimitet nga qytetarët, si ju.
    Thellësisht besoj që qëllimin e keni të njëjtë, të gjithë ju – pozitë e opozitë:

    Ta forconi shtetin dhe t’ua siguroni qytetarëve një jetë më të mirë.
    Prandaj, ndërrimi i kandidaturës – në rastin tuaj – nuk është humbje e betejës politike.

    Përkundrazi – është fitore. Madje fitore e madhe, sepse po e jepni një zgjidhje kreative, po e shtyni procesin përpara, po e çoni shtetin drejt funksionalitetit.

    E këtë mund ta bëjë vetëm një burrështetas – dikush që është mbi mentalitetin primitiv të kasabasë sonë politike.
    Merreni përgjegjësinë që e keni. Ndryshojeni kandidaturën dhe zhbllokojeni Kuvendin.

    Mos e bëni Kosovën kolateral të kokëfortësisë.

    Unë, si qytetar i këtij vendi – si njeri që ia don të mirën Kosovës dhe nuk ka atdhe tjetër – nuk do të ndalem.

    Do të kërkoj përditë dhe pa kompromis, që Kuvendi të funksionalizohet.

    Arianit Koci
    26 Qershor 2025
    Prishtinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!