Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër në lidhje me arrestimin dhe paraburgimin e Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe, duke akuzuar institucionet e Kosovës për heshtje dhe mungesë reagimi të barabartë në raste të tilla. Në një status të publikuar në Facebook, Koci shpreh shqetësimin e tij për, siç e quan ai, selektivitetin në reagimet e shtetit.
“Gabim. Shumë gabim”, shkruan Koci në nisje të reagimit, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosreagimin në këtë rast.
“Kryeministri Kurti protestoi publikisht kur u ndalua një ish-deputet i Vetëvendosjes nga ana e policisë serbe. E tash – kur u paraburgos një ish-polic i njësisë speciale, djali i një polici që ende i shërben shtetit – ende asnjë fjalë”, shkruan Koci.
Sipas avokatit, Arbnor Spahiu nuk ka qenë fare pjesë e Policisë së Kosovës në kohën e sulmit terrorist në Banjskë, ngjarje në të cilën u vra polici Afrim Bunjaku. “Të gjitha provat i kam dërgu në gjykatë”, thekson Koci, duke theksuar se klienti i tij po mbahet pa asnjë provë konkrete.
“Arbnori mbahet në paraburgim në Serbi, vetëm pse është shqiptar. Asnjë provë. Asnjë fakt. Vetëm padrejtësi”, shton ai.
Koci kujton se edhe në rast se Spahiu do të kishte qenë pjesë e njësive të sigurisë, veprimet e tij do të ishin të ligjshme. “Secili polic që ka marrë pjesë në neutralizimin e sulmit [në Banjskë], e ka mbrojtë rendin juridik dhe tërësinë territoriale të Kosovës. E më shumë se kaq – e ka mbrojtë jetën e qytetarëve. Shqiptarëve dhe serbëve.”
Në përfundim të statusit, avokati shpreh vendosmërinë për të vazhduar angazhimin e tij në mbrojtje të klientit: “Sidoqoftë, nuk e le asnjë qytetar të Kosovës vetëm. Sado që është rrezik. E kryej edhe punën që do të duhej ta kryente shteti i Kosovës.”