Kryenegociatori i palës serbe në dialog, Petar Petkoviq po e mohon se ka thënë që shteti i tij është gati të nisë negociatat për planin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve, pas marrëveshjes për targa të arritur mbrëmë në Bruksel.
Petkoviq po e mohon ta ketë thënë këtë, pavarësisht faktit se kryediplomati evropian Josep Borrell, pas marrëveshjes ka thënë se në ditët në vijim do të ftojë palët në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ai e ka akuzuar një media kosovare për “fake news” .
Mediumi koha.net pas arritjes së marrëveshjes kishte publikuar një artikull me titull “Petkoviq: Gati për të filluar diskutimet për propozimin franko-gjerman”. Mediumi i ishte referuar deklaratës që Petkoviq kishte bërë për mediat pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel.
Kryenegociatori serb më pas ka reaguar në Twitter duke e akuzuar Prishtinën për “luftë informative”. Sipas tij mediumi në fjalë e ka ndryshuar deklaratën e tij të dhënë pas marrëveshjes.
Sipas Petkoviq, kështu Prishtina po tenton të fshehë rezultatet e marrëveshjes në Bruksel, që ai e ka quajtur si të favorshme për Serbinë.
Mbrëmë u arrit marrëveshja për targa pas diskutimeve gjashtë-orëshe mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.
Sipas kësaj marrëveshje Kosova heqë dorë nga zbatimi i masave për veturat me targa ilegale, derisa Serbia zotohet se nuk do të prodhojë më të reja.
Po ashtu, sipas marrëveshjes palët në ditët në vijim do të ftohen në Bruksel që të diskutojnë hapat e ardhshëm rreth propozimit franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve. /Reporteri.net