×
  • Lajme
  • Lajme / Siguri

    Komandant Jashari me vizitë zyrtare në ShBA, diskuton për bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive

    Reporteri
    19 Tetor 2024 | 12:42

    Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2024” në Uashington D.C, ShBA.

    Fillimisht, Jashari u takua me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Randy A. George, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive, stërvitjet e përbashkëta si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta.

    “Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneralin George për mbështetjen e vazhdueshme si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Jashari u takua edhe me komandantin e Komandës së Asistencës Ushtarake të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Brigade Allan J. Pepper, ku u diskutua lidhur me asistencën në projektet e sistemeve të armatimit, pakot e trajnimit si dhe fusha tjera përkatëse.

    Përveç pjesëmarrjes në sesionet kryesore të konferencës dhe panairit, Jashari gjithashtu u takua me përfaqësuesit e disa prej agjencive kyçe të mbrojtjes me fokus të veçantë rreth bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, u njoftua me zhvillimet më të fundit teknologjike, përmes prezantimeve informuese dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    “Në aktivitetet përkatëse, Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar, për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake dhe avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate”.

    “Vizita e Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa FSK po hyn në fazën përfundimtare të procesit të tranzicionit. Gjithashtu kjo vizitë shprehu rëndësinë e partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet  në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!