Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, është pritur sot në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në takim, siç njofton KFOR-i, komandanti ka nënvizuar se misioni që ai drejton do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Ai përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun Kosovë-Serbi, duke porositur shefin e ekzekutivit kosovar, se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve
“Unë kam përsëritur mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë Barduani, sipas njoftimit të KFOR-it.
Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione.
“Kjo do të jetë pjesë e përpjekjeve të mia dhe të gjitha aktiviteteve të përditshme të KFOR-it”, ka shtuar tutje ai.
Ky ishte takimi i parë i Barduanit me Kurtin prej kur mori detyrën si komandant i KFOR-it në fillim të këtij muaji duke pasuar në këtë detyrë Ozkan Ulutlashin. /Reporteri.net/