Kompania “Pastrimi” i ka reaguar Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama pasi sot përmes një konference për media shpalli gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Sipas “Pastrimit”, Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij, dhe se siç thuhet në reagimin e kësaj kompanie, i pari i Prishtinës deri sot në ora 09:00, pak para konferencës, s’ua kishte dorëzuar kamionët dhe kontejnerët, dhe se disa prej tyre “Pastrimi” thotë se ua dorëzoi sot, duke e konsideruar si manovër për të bllokuar shërbimet publike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas shefit ekzekutiv të kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, e gjitha është bërë për të krijuar kaos të qëllimshëm.
“Deri sot në orën 9 të mëngjesit, Rama nuk na kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, as dokumentet e tyre për regjistrim. Vetëm pak para konferencës, rreth orës 9, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm.
Më 07.01.2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, kam kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet. U deshën më shumë se 10 ditë për një përgjigje, dhe në atë takim dukej i vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje. Për më tepër, Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të “Pastrimit” të sabotojnë shërbimin, vetëm që të krijojë kaos për të ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave kompanisë private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin tim (për të cilat kemi fakte të mjaftueshme)”, thuhet në reagim.
Tutje në reagimin e Reçicës thuhet se ka kërkuar takim me Përparim Ramën dhe Bekim Brestovcin, por që tek pas 10 ditëve kishin marrë një përgjigje, dhe sipas tyre aty dukej qartë se ishte vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, dhe “duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje”.
Ai thotë se “Pastrimit” po punojnë 24 orë për 7 ditë të javës, dhe se kjo është një skemë e përgatitur.
“Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke pretenduar se “Pastrimi” nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim ne 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat.
Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024 ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM “Pastrimin”.
Këtë herë, duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal. Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.
Ne si ndërmarrje publike qëndrojmë të përkushtuar dhe zotohemi para qytetarëve se do të jemi në nivelin më të mirë të cilësisë së shërbimit në grumbullimin e mbeturinave”, ka qenë reagimi i Kompanisë “Pastrimi”.
Në email-in dërguar nga kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Pastrimit”, Petri Reçica, të dërguar me 7 janar të këtij viti në drejtim të Përparim Ramës dhe Bekim Brestovcit, ku përmendet kërkesa për dorëzimin e kontejnerëve, e poashtu edhe kamionëve të rinj, të cilët në shkrimin e tij thuhet se veç ndodhen në kryeqytet.
Gjithashtu si kërkesë për një takim të mundshëm, Reçica shkruan se do të ishte edhe ajo për Rregulloren e re, ku thuhet se inkasimi i faturave bëhet po nga kjo ndërmarrje.
Sipas email-it të dërguar nga Reçica, ai ka kërkuar që në datat 8, 9 dhe 10 janar të zhvillojë takim me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama si dhe Bekim Brestovcin, Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet.
/Reporteri.net/