Kompania serbe e lidhur me Milan Radojicicin dhe që po ndërton “Luginën e Diellit”, dënohet 40 mijë euro nga shteti i Kosovës

Në komunën veriore të Kosovës, Zveçan, është shtrirë një lagje e madhe me dhjetëra shtëpi në qindra hektarë. Ky projekt financohet nga Qeveria e Serbisë, e tenderin për ndërtimin e saj e ka fituar kompania “RAD”.


Për këtë lagje pati reagime të shumta, sidomos nga opozita, që kërkonin nga Qeveria të ndërhyjë pasi konsideronin se po bëhet kolonizimi i veriut. Shteti heshti. Mirëpo, ai nuk heshti ndaj kompanisë që ka marrë tenderin për këtë projekt, shkruan Reporteri.net.

Ndonëse asgjë në lidhje me projektin e famshëm, kompania serbe “RAD” është dënuar me 40 mijë euro gjobë në prill të këtij viti.

Sipas dokumentit që ka siguruar Reporteri.net, kompania ka shkelur të drejtat e punëtorëve në disa raste, duke marrë disa gjoba njëkohësisht, që në total arrijnë shumën e lartëcekur.

Por, kompanisë që është në pronësi të Radule Stevic, mikut të të fortit të veriut, Milan Radojicic, nuk i shkoi në mendje ta paguajë. Ata injoruan vendimin e institucioneve të Kosovës.

Për këtë, Inspektorati i Punës e ka dërguar këtë lëndë tek Përmbaruesi privat në gusht, duke mundësuar bllokimin e llogarive të kësaj kompanie derisa paratë e gjobës të derdhen në llogarinë e shtetit të Kosovës.

Lidhur me këtë temë, gazeta ka biseduar me Inspektoratin e Punës, të cilët kanë konfirmuar këtë gjë dhe kanë thënë se janë të vendosur që të vendosin rregull edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Duhet theksuar se kompania “RAD” është më e famshmja në veri të vendit. Ajo merr të gjithë tenderët në institucionet e Kosovës që qeverisën nga serbët, por edhe projektet që vijnë nga Qeveria e Serbisë. Krejt kjo falë lidhjeve me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojicic, që njihet si “baba i veriut”.

Për lidhjet e kësaj kompanie me Radojicicin dhe zyrtarët e tjerë serbë të veriut, tregon edhe një raportim i revistës serbe “NIN”.

“Edhe pse sipas të gjitha parametrave, Kosova mbetet prapa Ballkanit Perëndimor në aspektin e zhvillimit ekonomik, për një kompani ndërtimore nga Zveçani, duket sikur të ketë ardhur epoka e artë. A është sekreti i suksesit të saj në marrëdhëniet e pronarit të saj zyrtar me shefin jozyrtar të veriut të Kosovës, Milan Radoiçiq, nënkryetarin e Listës Serbe dhe presidentin e sapozgjedhur të Shoqatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë?”, thonë ata.

Sidoqoftë, ndonëse i kërkuar nga shteti i Kosovës si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojicic vazhdon ta kontrollojë në tërësi politikën dhe biznesin në veri. Ai konsiderohet si njeriu kryesor i kontrabandës në atë pjesë të vendit./Reporteri.net