×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna angazhon operatorë privat, nuk dihet çka do të ndodhë me “Pastrimin”

    Reporteri
    15 Maj 2025 | 20:53

    Pas ndërprerjes së shërbimeve nga KRM “Pastrimi”, pjesë të ndryshme të kryeqytetit mbesin në kaos me mbeturinat të cilat po shkaktojnë kundërmim dhe pakënaqësi tek banorët. Komuna e Prishtinës reagoi të mërkurën duke angazhuar një operator privat dhe paralajmëroi se kjo mund të jetë zgjidhje e përkohshme edhe për ditët në vijim.

    Kaosi me mbeturina në kryeqytet bëri që Komuna e Prishtinës, të intervenoj në orët e vona të mërkurën, por jo me “Pastrimin”.

    Duke qenë se kjo e fundit ndaloi shërbimin e saj brenda territorit të Prishtinës, mbrëmë në pastrim u angazhua një operator privat.

    E kështu, komuna planifikon të veprojë edhe ditëve në vazhdim.

    “Është kompani private e kontraktuar nga komuna e Prishtinës për shërbime të ngjashme. Marrë parasysh gjendjen që kemi pasur, konform interesit të shëndet publik, konform rëndësisë së imazjhit të keq që ka shkaktuar dje “Pastrimi” është dashur të angazhojmë një kompani së paku për dje dhe sot, dhe të shohim se nga nesër cila do jetë alternativa e radhës”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, për RTV Dukagjini.

    Mbrëmë operuan 8 kamionë të kësaj kompanie, që Komuna nuk tregoi se të kujt janë dhe sa ka kushtuar kjo për buxhetin.

    I pyetur se a planifikon komuna që këtë ta bëjë zgjidhje deri në një vendim final, Brestovci nënkuptoi se mbetet zgjidhja e vetme.

    “Ne domosdoshmërisht s’mund të biem pre e çfarëdo lloj shantazhi. Ne nuk duhet të lejojmë që të cenohet shëndeti publik, për asnjë formë, në asnjë mënyrë. Ne do i marrim të gjithë hapat, duke i respektuar kornizat ligjore. Se dimë sa ka kushtu, këto bëhet nga menaxheri i kontratës dhe do ta kemi një raport besoj javën e ardhshëm”, ka shtuar Brestovci.

    Vendet në qendër që operoi mbrëmë kompania private, sot janë në gjendje të mirë por problem mbeten shumë lagje të qytetit.

    E mërkura qe dita kur “Pastrimi” ndaloi shërbimet si shkak i një krize financiare që tha se erdhi nga moslarja e detyrimeve financiare të komunës, që nga fillimi i vitit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!