×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Deçanit 54 punëtorë me shërbime të veçanta, shkelje të shumta edhe në rekrutim të stafit

    Reporteri
    11 Korrik 2019 | 23:22

    Parregullësi të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në komunën e Deçanit që drejtohet nga Bashkim Ramosaj i AAK-së.


    Ndër shkeljet me të mëdha që ka bërë kjo komunë lidhen me procesin e rekrutimit për shërbyesit publik.

    Në procesin e rekrutimit për pozitën Infermiere, të zhvilluara nga Drejtoria e Shëndetësisë, Auditori ka identifikuar se nuk është mbajtur testi me shkrim, nuk është plotësuar numri minimal prej 3 kandidatëve dhe ka munguar publikimi i rezultateve në web faqen e Komunës, shkruan Reporteri.net.

    Po ashtu, e punësuara nuk kishte licencë valide të punës para datës së aplikimit për punë. Licencën e punës e kishte marrë pas hyrjes në punë. Me konkurs ishte kërkuar që kandidatët të jenë të pajisur me licencë të punës.

    Probleme ka gjetur edhe në rekrutimin e mësimdhënësve. Nga shqyrtimi i 5 proceseve të rekrutimit për mësimdhënës të zhvilluara nga Drejtoria Komunale e Arsimit, lëndët ishin jo të plota ku Auditori ka identifikuar se të punësuares për zëvendësimin e pushimit të lehonisë, me kontratë me afat të caktuar, pas përfundimit të afatit, kontrata i është vazhduar në afat të pacaktuar.

    Ndërsa në katër raste të rekrutimit nuk ishte mbajtur testi me shkrim, në tre konkurse afati për aplikim ishte caktuar vetëm 8 ditë, e jo 15 ditë, në dy raste mungonin kërkesat për rekrutim nga njësit kërkuese dhe aplikacionet e kandidatëve, një rast, kandidati i punësuar nuk kishte plotësuar kriterin për përvojë njëvjeçare të punës, ndërsa në katër raste, nuk është kërkuar vertetimi që nuk është nën hetime.

    Kurse në një rast mungonin vlerësimet individuale të kandidatëve të intervistuar, ndërsa në rastin tjetër forma e përcaktimit të kritereve të intervistës dhe format e vlerësimit të kandidateve gjate intervistimit nuk ishin nënshkruar nga anëtarët e komisionit vlerësues, dhe në dy raste nuk ishin publikuar në web faqe informatat rreth konkursit, ndërsa në dy raste tjera kontratat ishin nënshkruar pa kaluar afati 8 ditor i ankesave të mundshme të kandidatëve pjesëmarrës.

    Shkelje janë gjetur edhe në procesin e rekrutimit për pozitën zyrtar për gjendjen civile dhe për pozitën zyrtar për gjendjen civile.

    “Nga shqyrtimi i 2 procedurave të rekrutimit, të zhvilluara nga zyra e personelit të Komunës, identifikuam mangësitë në vijim: Për pozitën zyrtar për gjendjen civile, e punësuara nuk kishte dëshmi për përvojën e punës profesionale 2 vjeçare. Dëshmitë e ofruara ishin vetëm për 17 muaj të angazhimit përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, ndërsa Udhëzimi Administrativ nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik; • Për pozitën Zyrtar për shërbime sociale, është kërkuar njohuri profesionale në fushën e të drejtave të njeriut, ndërsa i punësuari ka ofruar dëshmi për përvojën e punës në fushën e financave dhe të kontabilitetit. Gjithashtu, kriter ishte diploma universitare, ndërsa i punësuari kishte nivelin bachelor të kualifikimit “, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    54 punëtorë me shërbime të veçanta

    Komuna e Deçanit si edhe komunat tjera ka angazhuar një numër të madh të punëtorëve me shërbime të veçanta.

    Gjatë vitit 2018 komuna kishte të angazhuar 54 punonjës me shërbime të veçanta.
    Për këto angazhime nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe mungonin kërkesat apo arsyetimet për nevojën e angazhimit të punonjësve përmes kësaj forme të punësimit.

    Po ashtu, nga testimi i pesë kontratave ne vërejtëm se në dy raste personat e njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit, pra në një far forme këto kontrata vetëm ju kishin vazhduar.

    “Po ashtu, Komuna me rastin e pagesës së kompensimit mujor për personat e angazhuar, nuk u kishte ndalur kontributin e paguar në emër të punëdhënësit prej 5%. Në këtë rast, kostoja mujore e pagesës për personin e angazhuar i kishte kushtuar komunës 5% më tepër se sa shuma e kontraktuar. Kjo ka ndodhur si rezultat i mos njohurive me kërkesat ligjore”, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    Mangësi në procesin e prokurimit publik

    Auditori ka vërejtur se te kontrata ‘”Asfaltimi i rrugës në fshatin Belle”, në vlerë 445,368€ operatori fitues kishte ofruar vetëm një referencë pune për inxhinierin, por se i njëjti nuk kishte dëshmi tjetër dhe nuk figuronte as në listat e të punësuarve të deklaruar në ATK.
    Për Inxhinierin ishte sjellë dëshmi diploma e studimeve jashtë vendit, e cila nuk ishte e nostrifikuar nga autoritet e vendit.

    Po ashtu, oepratori fitues kishte nënshkruar Kontratë mbi Vepër me personelin menaxhues të projektit për implementimi i projektit 3 vjeçar, përderisa dihet që sipas ligjit të Punës kontratat mbi vepër nuk mund të jetë më e gjate se 120 ditë brenda një viti.

    Te kontrata për asfaltimin e rrugëve në Deçan, në vlerë 3,280,312€, Auditori ka identifikuar se operatori fitues kishte lëshuar referencë për përvojën e punës për Inxhinierin e Ndërtimit/Menaxherin e Kontratës për vitet 2014-2018, ndonëse në CV e tij, nuk ishte evidentuar se i njëjti kishte punuar për këtë kompani.

    “Në listën e pagave 2018 të deklaruara në ATK, i njëjti nuk figuron si i punësuar, në vitin 2017 kishte vetëm një muaj të deklaruar, në vitin 2016 nuk figuronte fare në listë të pagave, ndërsa në vitin 2014 kishte vetëm 4 muaj. Me dosjen e tenderit ishte kërkuar që Menaxheri i Projektit të ketë së paku 5 vite përvojë pune dhe të ketë menaxhuar së paku dy projekte në vlerën prej minimum 2 mil.€; dhe • Te kontrata për Hartimin e hartës zonale të Komunës së Deçanit në vlerë 120,000€, fituesi i tenderit, përveç CV-së, nuk kishte ofruar dëshmi për përvojën e punës 5 vjeçare për stafin menaxhues të projektit, ashtu siç ishte kërkuar. Procesi i vlerësimit të kritereve kishte mangësi pasi që nuk ishte fokusuar nëse dëshmitë e ofruara janë relevante, por ato që ishin ofruar ishin marrë si të mirëqena”, thuhet në raport.

    Auditori në këtë komunë ka gjetur edhe keq klasifikim të shpenzimeve në kode ekonomike, mos verifikimi të pronave të regjistruara etj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!