Për shkak të gjendjes së rëndë në Shqipëri, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka anuluar seancën solemne me rastin e 28 Nëntorit, e cila ishte paraparë të mbahej nesër më 27 Nëntor.
Kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se në vend të kësaj seance do të mbahet seancë solidarizuese me viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti.
“Në vend të seancës solemne për 28 nëntor, nesër Kuvendi Komunal në Prishtinë do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për tërmetin në Shqipëri dhe ndihmën e Komunës së Prishtinës për familjet e prekura nga tërmeti.Në momente të vështira, solidarizimi është detyrë e secilit prej neve.”, ka shkruar kreu i komunës Shpend Ahmeti.