Dogana e Kosovës ka reaguar lidhur me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin se janë spiunë të Shërbimit të Intelegjencës Serbe, duke bërë të ditur se njëri nga ta, Bedri Shabani është pushuar nga puna 20 vite më parë, saktësisht në fillim të vitit 2004, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, Bedri Shabani është shkarkuar për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
Tutje në reagim thuhet se që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.
Njoftimi i Doganës:
Prishtinë 5 qershor 2024, në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për aktivitete spiunazhi, Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë. Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona.