Kryenegociatori, Besnik Bislimi, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për rundin e ri të dialogut me Serbinë që do të mbahet më 19 mars.
Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se sipas ftesës, do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, ka thënë tutje ai.
Njoftimi i plotë:
Pas takimit të 5 marsit të javës së kaluar me emisarin Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme. Ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues.
Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër.
Ndryshe që nga 1 shkurti, Banka Qendrore e Kosovës po zbaton rregulloren e saj që parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur shqetësime se vendimi për këtë rregullore është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë efektet negative ndaj popullatës serbe në Kosovë.
BE-ja kërkon që për këtë çështje të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut, por Qeveria në Prishtinë ka argumentuar se rregullorja e BQK-së është “çështje teknike” që nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve me Serbinë. Beogradi, ndërkaq, kërkon një zgjidhje politike për çështjen e dinarit serb.
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.