Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump do të takohet sot në Zyrën Ovale me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Reporteri.
Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë dhe më pas do të ketë një takim trilateral me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë, lëshuar natën vonë të enjten, sipas kohës lokale të Uashingtonit, nuk specifikoi se çfarë do të nënshkruhej, ose çfarë do të përmbajë marrëveshja.
Gjatë javës, qarkulluan zëra se kishte një mundësi që Presidenti Trump të takohej me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte asnjë konfirmim deri të enjten në mbrëmje.
Pas ditës së parë të negociatave në Uashington, Presidenti serb, Vuçiq tha se atij iu paraqit një projekt marrëveshje gjatë takimit, e cila përmendte njohjen reciproke, dhe se ai e refuzoi atë, ndërsa Kryeministri Hoti tha se është bërë progres drejt marrëveshjes përfundimtare. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.