Kryeparlamentari Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij në Hagë, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale që t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen të burgosur atje derisa zyrtarisht të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Gjykata nëse nuk është e përgatitur, duhet t’i lirojë këta njerëz e pastaj kur të jetë e përgatitur të vazhdojë procesi gjyqësor ose ta pranojë që edhe pa fillu procesi gjyqësor, duke i mbajtur këta me qëllim, nuk mund të definohet tjetër përpos se izolim. Kjo quhet izolacion, izolacion i një personi për mos me mujtë me qenë afër familjes, afër shoqërisë, mos me mujtë me i kry detyrat e veta elementare dhe publike meqenëse personat për të cilët po flasim, mos të harrojmë, jo vetëm që kanë dhënë kontributin e tyre në të kaluarën, jo vetëm që kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe në përgjithësi të rëndësishëm në jetën publike”, tha Konjufca në RTK.
Ai, çështjen e akuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsideron çështje madhore që prekë jo vetëm ata, por mund ta dëmtojë edhe imazhin e Kosovës nëse beteja humbet.
“Duhet t’i bashkojmë forcat për aq kohë sa, unë mendoj, se në këtë proces po dëmtohet Kosova. Nuk mendoj që është çështje individësh. Nëse diçka shkon keq, nëse Kosova e humb këtë proces, mendoj se dëmtohet shtetësia e Kosovës.”
Konjufca ka deklaruar se deri tash ka takuar Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën.
Ai tha se është shumë i brengosur për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tha se, anipse ka kohë prej kur dihet aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ky proces po merr kohë të gjatë për t’u kryer, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Me këtë që po e shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur sepse janë bërë 24 muaj prej kur ne e dimë se cila është aktakuza. Me e pasë aktakuzën e shkruar dhe mos me fillu procesi gjyqësor, atëherë shtrohet pyetja pse këta njerëz nuk janë mbrojtur deri tash në liri. Kjo mund të përkufizohet si izolim.”
Kryeparlamentari e quajti Gjykatën Speciale “gjykatë e zorit”.
“Ne si Kosovë dhe si institucione të këtij vendi e shohim si shqetësim. Kemi pasë mospajtime të mëdha për themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk është se është bërë prej qefit, mirëpo ka qenë njëfarë gjykate e zorit me thënë të drejtën. Edhe ata që e kanë ngritur dorën pro Gjykatës kanë menduar se po të mos bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë Kosova do të pësonte. Pra e dimë se atëherë nuk ka qenë lehtë as pë rata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar pro kësaj Gjykate”, tha Konjufca.
“Puna e saj e deritashme ka shumë defekte për arsye se ajo që menjëherë merr vëmendjen ka të bëjë me faktin se po bëhen gati dy vjet prej kur ish-krerët janë brenda të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, shtoi tutje ai.
Konjufca po ashtu deklaroi se nesër pritet që të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. /Reporteri.net/.