×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Konjufca për takimin Kurti-Vuçiq: Nuk pres asgjë, Asociacioni s’është në rend dite

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 13:44

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga takimi mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Konjufca ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në rend dite për Kosovën.

    Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”, ka thënë ai.

    Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

    Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Kosova e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e mohoi përgjegjësinë.

    Përfaqësuesit e vendeve perëndimore, ndërkohë, u përpoqën disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa rezultat.

    Po ashtu, shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, shkuan disa herë në Bruksel për të diskutuar për tejkalimin e krizave, por as mes tyre s’kishte përparim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!