×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca propozoi shkarkimin e 7 ambasadorëve, a mund ta bëjë këtë pa Hashim Thaçin

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 14:24

    Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka kërkuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve në mesin e tyre edhe të ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut.


    Ai përmes një postimi në Facebook ka propozuar tërheqjen nga misioni të ambasadorëve politik: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu, shkruan Reporteri.net.

    Nëse Ligji do të ishte ndryshe, sot këta ambasadorë do të ishin duke paketuar valigjet. Por, në Kushtetutë dhe Ligj, Ministri i Punëve të Jashtme, s’ka fuqi ligjore dhe kushtetuese ta shkarkojë asnjë ambasador.
    Të gjitha vendimet për rangun më të lartë diplomatik duhet të shkojnë përmes Zyrës së Presidentit.

    Ministri i Jashtëm, në këtë rast Konjufca ka fuqinë ligjore të bëjë propozimin por jo edhe të marrë vendimin final për të kthyer apo shkarkuar një ambasador.

    Kushtetuta e Republikës i jep kompetenca ekzekutive Shefit të Shtetit kur në pyetje janë emërimet dhe shkarkimet e udhëheqësve të ambasadave.

    “Emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”, shkruan në nenin 84, pika 25 e Kushtetutës.

    Mirëpo, Shefi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, mund të shkarkojë ose kthejë në Kosovë secilin diplomat përfshirë edhe konsujt nëse konstaton se kanë shkelur ligjet,

    Sipas Ligjit, Presidenti mund të kërkojë përfundimin e mandatit të një ambasadori nëse bën kërkesë vetë ambasadori; për shkak të vlerësimit negativ të punës së tij; për shkelje të ligjeve; kur shteti pranues kërkon një gjë të tillë;

    “Tërheqja e të gjithë përfaqësuesuesve të tjerë diplomatikë, duke mos e përfshirë shefin e misionit, për të njëjtat arsye të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, bëhet me urdhërin e Ministrit të Punëve të Jashtme”, shkruan në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.


    Ditë më parë, Konjufca shkarkoi disa zyrtarë diplomatikë të emëruar nga Behgjet Pacolli kur Qeveria ishte në dorëheqje. Nuk dihet për shkak të kësaj shkelje ligjore dikush do të japë llogari para Prokurorisë dhe Gjykatave./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!